Kthehu mbrapa
Fjalë të kota të thëna bukur
Autor: Abdullah el-Uxhejri & Fehd el-Axhlan
Përktheu: Mirsim Maliçi
E vërteta si hijerëndë që është, nuk i trembet asnjëherë ballafaqimit me të pavërtetën, qoftë ballë për ballë e sy më sy, e qoftë edhe kur sulmohet tinëzisht! Kështu ajo, edhe në këtë libër, “Fjalë të kota të thëna bukur”, në dyzet kapituj, përballet për bukuri me dyzet teza të kota, të cilat, ndonëse janë qendisur bukur e dhelpërisht, nuk arrijnë që t’i bëjnë ballë fuqisë të së vërtetës.
Këto ide të kota, megjithëse jo të gjitha e krejtësisht janë të pavërteta, sikurse jo përherë janë artikuluar bukur, përgjithësisht janë “Fjalë të kota të thëna bukur”, e që autorët tanë kanë marrë përsipër që t’i shoshisin mirë e mirë gjithë këto fjalë, e t’i flakin të pavërtetat dhe dyshimet të cilat janë strukur nën kallëpe të praruara.
Ky libër mëton që të vijë si një përpjekje e njëmendtë kundër dyshimeve bashkëkohore, me të cilat synohet rrënimi e zvetënimi i Islamit dhe prishja e fetarisë së muslimanëve, e që lexuesi, me shpjegimet dhe trajtesat e autorëve, do të arrijë që të fitojë dije e kulturë të mjaftueshme për t’i bërë ballë dyshimeve, e për t’u bërë një debatues i mirëfilltë, e një thirrës i denjë.
Meqë “Zemrat janë të dobëta, kurse dyshimet fort grabitqare!”, ky libër duhet të jetë pranë të rinjëve muslimanë të nënqiellit tonë, të cilët thuajse çdo ditë ballafaqohen me këto dyshime; pse jo, ai duhet të lexohet e të diskutohet me shoqëri, me profesorë, e me familjarë!
Një libër që, herë pas here, edhe pasi ta keni përfunduar, do t’ju thërras që t’i riktheheni - ta rilexoni, e të ndriçoheni me të.