Kthehu
Fëshfërima
18 Shkurt, 2025
3 min lexim

Gjeje zemrën tek grykësia e pashembullt

Hoxhë Mirsim Maliçi

Kërkimi i së vërtetës, është përpjekja më e fisshme e njeriut; e njeriut syçelë që nuk i parapërcakton kufij të rrejshëm të vërtetës dhe që, kur e gjen atë, nuk e nënçmon duke ia veshur asaj trashëgimitë e kota të përiudhës së humbjes.

Udhëzimi nuk nënkupton vetëm gjetje të të vërtetave të mëdha, por edhe zbulim të shtigjeve për të shkuar drejt majeve të po këtyre të vërtetave dhe përkushtim për të sforcuar themelet, pa të cilat jetësimi është gjendje kalimtare, e jo ngjyrim i përhershëm i vetëpërcaktimit.

Dhe majet dhe themelet e zemrës, gjegjësisht të tezkijes dhe përshpirtshmërisë,  pasqyrohen tek përkushtimi i robit për fjalën e Allahut - përkushtimi i leximit, meditimit, përjetimit, ngjyrimit dhe jetësimit. 

Të gjesh të vërtetat e mëdha të tezkijes, e të mos i ushqesh ato me Librin e Allahut, apo t’i përkushtohesh Librit të Allahut, e të mos fisnikërohesh me domethëniet e tezkijes, e nxjerrë në dilemë vetë gjetjen: vërtet, ç’paskëshim gjetur?!

Ndaj, duke iu referuar pasazhit kuranor ku Allahu tregon për shkatërrimin e popujve, e që aty thotë: “Me të vërtetë, për të gjitha këto ka këshillë për atë që ka zemër…” (Kurani, 50:37); Ibn Kajimi thotë: “Ndërmjet njeriut me zemër të gjallë dhe domethënieve të Kuranit, ekziston një lidhje e plotë.”[1].

Ndaj në hartën e temave të tekzijes, matja dhe pasqyrimi i gjendjes së zemrës, po dhe diagnostifikimi i sëmundjeve të saj, bëhet dhe ribëhet, përherë e qartazi, nëpërmjet afërsisë dhe përkushtimit ndaj Kuranit, saktësisht nëpërmjet sprovimit të plotësisë së lidhjes së lartëpërmendur.

Është pikërisht ajo që e ka thënë Uthman Ibn Afani (radijallahu anhu!): “Nëse zemrat e juaja do të pastroheshin, nuk do të ngopeshin me fjalën e Allahut.”[2]

Dhe pastërtia e zemrave si parakusht i grykësisë, në një përpjekje për të shijuar mrekullinë e Kuranit, sado të jetë sfiduese, qëndron e palëkundshme. Dhe këtë, Ibn Tejmije, e provon nëpërmjet një argumenti, që kur e trajtojmë pa mendësi të sforcuar në temat e tezkijes, na ik, e sa shumë humbim kur na ik një botëkuptim si ky; gjegjësisht, tek ajeti kuranor: “Dhe atë nuk e prekin, veçse të pastërtit.” (Kurani, 56:79), shejhu’l-Islam Ibn Tejmija thotë: “Dhe nëse fletat e tij nuk i prekin veçse të pastërtit, atëherë drejt domethënieve të tij nuk udhëzohen, veçse zemrat e pastërta.”[3]

E pra, le të ndalemi pak! Le të reflektojmë nëse duam ta masim përudhjen tonë pas udhëzimit të madh që e kishim fituar dikur, moti dikur, sa dhe ndoshta edhe e kemi harruar: a mos vallë na janë mjegulluar shtigjet drejt majeve dhe, a mos vallë, na është përgjumur përkushtimi për sforcimin e themeleve?! Thënë troç, ku është zemra jonë dhe ku është Kurani në fetarinë tonë?

Në të vërtetë, majet e larta, e më parë edhe themelet e forta të fetarisë, janë tek ekuilibrimi i reciprocitetit të Kuranit me zemrën dhe zemrës me Kuranin.

Me Kuran arrijmë tek tezkija dhe me tezkije arrijmë tek Kurani. Thjesht, ky është shtegu i pangopësisë! Grykësi e pashembullt!


Mirsim Maliçi

18.02.2025, Shkup


Fëshfërimë nga ligjërata “Kurani dhe zemrat me fat”, nga vargu i ligjëratave: “Shembulltyra e përkushtimit” - Peace TV.


[1] Ibn Kajimi, El-Fevāid, me recension të Muhamed Uzejr Shems, botim i Ataatu’l-ilm, f. 5.  

[2] Ahmed Ibn Hanbel, Faḍāilu’ṡ-Ṡaḥābe, me recension të Vasijullah Abas, botim i Muesesetu’r-Risale, 1983, f. 479 (nr. 775).

[3] Ahmed Ibn Abdulhalim Ibn Temije, Sherḥu ḥadīthi’n-nuzūl, el-Mektebu’l-Islamij, 1977, f. 169.
Shpërndaje
Fëshfërima

Pandjeshmëria për kohën

Lexo më shumë

Tags