I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ve selem!) falej shumë gjatë natës, ashtu siç tregon Allahu i Madhërishëm: “Me të vërtetë, Zoti yt e di, se ti (o Muhammed) lutesh më pak se dy të tretat e natës, ndonjëherë gjysmën ose të tretën e saj…” (Kurani, 73:20); pra, përafërsisht dy të tretën e natës, gjysmën e natës dhe një të tretën e saj, e kjo, pa dyshim, është kohë e gjatë, saktësisht dy të tretat e natës në netët e dimrit janë përafërsisht shtatë orë, e gjithë këtë kohë Profeti (sal-lallahu alejhi ve selem!) e kalonte në namaz të natës; ky ishte përkushtimi i tij, derisa edhe iu çanin këmbët, e iu ënjtëshin.
Falej, siç është transmetuar në trasmetimin e parë të Mugirës: “Derisa i ishin fryrë këmbët”[1], ndërsa në trasmetimin e dytë: “Derisa iu ënjtën këmbët.”[2], e në transmetimin e tretë: “Derisa iu çanë këmbët.”[3]; e që të gjitha transmetimet janë në të njëjtën domethënie, pra, i qenë plasaritur këmbët nga kijami i gjatë në namaz të natës.
Pra, siç e përmendëm, ndonjëherë falej përafërsisht shtatë orë. Një herë Hudhejfeja ishte falur me të në namazin e natës. Ai tregon: “Ai e filloi namazin me këndimin e sures el-Bekare (pra, pasi e kishte lexuar el-Fatihanë), e unë thashë me vete: ‘Ndoshta do të shkojë në ruku kur të bëhen njëqind ajete’, mirëpo ndonëse i arriti ato, ai vazhdoi e nuk u ndalë, e unë thashë me vete: ‘Ndoshta do ta lexojë krejt suren’, mirëpo, paskëtaj e filloi edhe suren en-Nisa dhe e lexoi të plotë, e pastaj filloi me Ali-Imran…”[4]; vini re, e ka lexuar suren en-Nisa përpara Ali Imran, e që kjo tregon që renditja e sureve nuk është e detyrueshme. Pra, e ka lexuar suren el-Bekare, Ali Imran dhe en-Nisa (faqja e fundit, 106; M. M.), e që të gjitha në një rekat të vetëm, pastaj ka rënë në ruku, ku kohëzgjatja e rukusë ka qenë e përafërt me kohëzgjatjen e kijamit të tij, e pastaj ka rënë në sexhde, ku kohëzgjatja e sexhdes ka qenë e përafërt me kohëzgjatjen e kijamit të tij. Subhanallah! Shikoni sa gjatë është falur ai (sal-lallahu alejhi ve selem!)!
Një herë Abdullah Ibn Mesudi ishte falur me të. Ai tregon: “U fala me të një herë, e, aq shumë e zgjati kijamin, saqë më shkoi mendja për diçka të keqe.”; i thanë: “E ç’të shkoi ndërmend?”; tha: “Më shkoi mendja ta lë dhe të largohem.”[5]
Një herë Abdullah Ibn Abasi (radijallahu anhuma!) ishte falur me të dhe ai e kishte zgjatur shumë namazin. Nëna e besimtarëve, Aishja (radijallahu anha!) do ta pyeste: “O i Dërguari i Allahut, pse e bën gjithë këtë, ndërkohë që Allahu të ka falur mëkatet e së shkuarës e të së ardhmes?!”; e, ai qe përgjigjur: “E pse të mos jem një rob falënderues?!”[6].
Shejh Sead el-Hathlan
Përktheu: Mirsim Maliçi
Shkup, 26.02.2025
[1] Shënon Muslimi (2819)
[2] Po aty.
[3] Shënon Muslimi (2820).
[4] Shënon Muslimi (772).
[5] Shënon Buhariu (1135) dhe Muslimi (773).
[6] Shënon Buhariu (4836) dhe Muslimi (2819).