Nuk e di në cilin vit po më lexon. Cilido qoftë, uroj të jesh i rrethuar me më pak hipokrizi se koha kur unë jetova. Po them, jetova, edhe pse jeta ku duhet të ulësh shikimin për të mos parë shumëfytyrësinë dhe lajthitshmërinë e njerëzve, bile edhe të atyre të mirë, i ngjan rrëfimeve që e sforcojnë emrin e mashtrimit që e ka jeta.
Nuk e di në cilin vit po më lexon, mirëpo më duhet të të jap një përgjigje paraprakisht. Kjo përgjigje nuk të takon edhe aq shumë ty, ti që më lexon pas vdekjes sime, megjithëse s’e mohoj që kam menduar shumë për ty. Kam menduar kur kam ligjëruar e kur kam shkruar. Tek ti e gjeja ngushëllimin. Ndoshta koha jote ka më shumë përparësi se e imja dhe rreshtat e fjalët që m’i ka prekur pluhuri, ti i gjallëron.
Nuk e di në cilin vit po më lexon, por këtë përgjigje po ta jap vetëm për të ta lehtësuar shoqërimin tonë. Nuk e di nëse po më shoqëron në ndonjë koleksion të përgatitur nga ndonjë nxënës a pasardhës, por sidoqoftë, çka është për Allahun, ngelet, jeton dhe rrjedh, e kjo shoqëri, ndërkohë që mund të thuash: “Allahu e mëshiroftë!”, të premtoj që nuk është labirinth. Paraprakisht, kjo përgjigje të jep zgjidhje për shumë enigma.
Nuk e di në cilin vit po më lexon, mirëpo kjo përgjigje mund të të hyjë në punë, qoftë edhe nëse je duke shuar kurreshtje për një kalimtar të çuditshëm a një udhëtar të lodhur. Një përgjigje për një mijë pyetje. Po, pikërisht për një mijë. Vetëm një përgjigje. Në fakt, mund të ishin shumë pak pyetje, por koha kur jetova, pyetjet përsëriteshin dhe ripërpiloheshin për t’i bërë shtypje përgjigjes, por unë të kisha parasysh ty, ti që do të më lexosh pas shumë dekadash, ndaj ta ruajta përgjigjen ashtu siç e kisha menduar, jo siç e mendonin.
E pra, se mos u bezdise?! Ja, po ta jap përgjigjen. Edhe pse besoj që vetë e ke gjetur, nëse më ke njohur pak, më ke lexuar pak, më ke dëgjuar pak.
Cilat janë ato një mijë pyetje?! Pse… shumica ishin me “pse”. Shumë nga to ishin habi, e sa dhe kurreshtje, e kryesisht uri për përshesh. E po, idea nuk i përsheshet vetëm foshnjeve, po edhe njerëzve të mirë, por jo aq të arsyeshëm.
E pra, ja! Paraprakisht merre përgjigjen. Shumëkund, në shumë fusha pjellore, nuk mbolla asnjë fidan. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë herë, e ndoshta në ngarje historike, nuk kam shprehur asnjë interesim për çfarë ngjante përreth meje. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë zbrazëtira i shikova nga larg, e kurrë nuk më trishtoi boshllëku që mund ta mbushja. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë kapituj m’u besuan, por unë nuk i besova. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumëkënd, njerëz të mirë, kurrë nuk i shoqërova, e as që më ka munguar shoqëria me ta. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë lëvizje e kishin jehonën më mbresëlënëse, por kurrë nuk i kam parë të denja. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumëkënd e kisha në lutje të mira, por nuk e dëshiroja në hapësira e punë të mira. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë protagonistë të mirë kaluan kah të njëjtat udhë që kisha, por unë e shpejtoja apo e ngadalësoja ecjen, vetëm e vetëm që të mos bëhesha bashkë me ta në udhë. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë kthesa i kalova në heshtje, e disa në vetmi, e shumicën me pak shokë, por asnjëherë vërshimet e deleve nuk ma lëkundën uljen këmbëkryq. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë suksese i shikova me mosvlerësim, ashtu sikur shumicën e mendjeve. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë shembylltura nuk më impresionuan, e as që i kisha synim. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera. Shumë ujëra u trazuan e shumë reshje bleronin trojet ku gjendesha, por unë mendjen e kisha diku tjetër. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera.
A e di ç’do të thotë kjo përgjigje për një mijë pyetje?! Një mijë herë të jesh i sigurtë në ato vlera të cilave u takon. Jo që i përvetëson ato. Jo që i ke jetësuar. Jo që i përfaqëson. Thjesht, u takon! Tek përkatësia tek këto vlera përmbushesh! Aty je në shtëpinë tënde. E po, tek vlerat e tua autoktone dhe të denja, edhe skamja është kamje, e edhe skllavëria liri. Sepse aty je vetvetja! Thjesht, kisha një përgjigje për krejt përcaktimet, distancimet, heshtjet, shoqëritë, ftohjet, shtegtimet e pushimet. Thjesht, i takoja disa vlerave të tjera.
Cilat vlera?! E po, është fat të lexohesh nga mendjet që nuk duan përshesh. Thjesht, i takoja vlerave të tjera, ndonëse të tjerët, ashtu si edhe ti, jeni më të mirë, por, thjesht i takoj disa vlerave të tjera.
Mirsim Maliçi
Shkup, 27.03.2025