• Notifications
Kthehu
Ese dhe vargje
10 Janar, 2026
2 min lexim

Mendjehapurit e kruspulluar

Hoxhë Mirsim Maliçi

Të tingëllosh mendjehapur dhe të jesh i tillë, nuk është kod që e kurdis vetë, por një realitet që mund të lexohet, për të mos thënë, mund të dekodohet nga shumëkush. E sidomos kur paraqitja e tillë përbën thirrje për t’u ndjekur si një model i munguar, sakaq këmbëngulja për të stërholluar thirrjen dhe protagonistin nuk është befasi.

Dhe një prej tingëllimeve që duhet gjunjëzuar me pyetje është edhe ajo filozofia, që dhe përbën vetë letërnjoftim të “mendjehapurve”, se duhet të relaksohemi pafundësisht me mendimin ndryshe të gjithkujt që flet në emër të fesë, me mospajtimet dhe divergjencat e autorëve klasikë e bashkëkohorë, e me çdo kritikë lëshuar në drejtim të leximeve fetare, se e gjithë kjo laramani përbëka rahmet. Mirëpo, jo kaq lehtë! 

Ndonëse kjo çështje e ka vendin e vetë të trajtimit, se ku ka hapësirë, e ku jo, ku mund të shikojmë mes gishtash, e kur me syçelësi, tani dua të pezmatoj vetëm një plagë. Plagën e acaruar të mendjehapurve të vonuar: mosguximin. 

A është rahmet të kritikohen kokat dhe personazhet e zëshme të shkollave, ideologjive dhe organizatave tuaja?! A është rahmet të shqyrtohen politikat e udhëheqësve dhe të diktatorëve tuaj?! A është rahmet të zëvendësohen platformat e lëvizjeve tuaja me prurje të reja të brezave në ardhje?! A është rahmet të pyesim për elitat e juaja, se çka i legjitimon ata?! A është rahmet ta gjykojmë aktivizimin tuaj?! A është rahmet të numërojmë dobësitë, kontradiktat dhe rëniet e juaja e të gjithkujt që i atribuoheni prej mendimtarëve, dijetarëve e hoxhallarëve?! A është rahmet… a është rahmet?!

Më falni për këto pyetje, por ju jeni të guxishëm për të qenë mendjehapur e të relaksuar me mendimin ndryshe, veç kur është fjala për Kuranin dhe Sunetin, veç kur është fjala për t’i çelë udhë laramanisë së padobishme që akomodon në Umet mendime të dobëta, por ju, për të tjera raste, më së miri e luani lojën e strucit.

Të lumtë që ke hapur sytë dhe mendjen, por me atë zemër të paguximshme që të ka skllavëruar, që as nuk e artikulon në mendje, e ku më ta thuash një gjysmë fjale ku gjykon, shqyrton a relativizon autoritetet e tua - qoftë president, imam, shejh, myfti, reformator a mendimtar, s’je i denjë për t’u thirrur tek laramania e mendimeve fetare.


Mirsim Maliçi

Shkup, 10.01.2026


Shpërndaje
Ese dhe vargje

Veç një shenjë!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Paraprakisht!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Mirë se vjen o mallëngjim!

Lexo më shumë

Tags