Kthehu
Lexime dhe dobi
25 Maj, 2025
5 min lexim

Atëherë kur “të jesh i dobishëm” nuk është e mjaftueshme

Hoxhë Mirsim Maliçi

Prurjet që e pasurojnë një boshllëk apo e korigjojnë një shtrembërim të kthyer në diçka normale, jo rrallë herë e kanë një fat që i jep jetë vetë boshllëkut dhe shtrembërimit. Dhe kjo jo vetëm për një arsye. Është ai përcaktimi i prurësit që të mos bëjë zë, se, ja, prurja e tij do të shikohet nën vetulla dhe me një sy qorr, një, mes shumë arsyesh, që shpesh i jep jetë asaj që do të duhej të ndryshonte, të perëndonte apo të shkrihej në një vlerë të re që do ta plotësonte.

Por, vallë, a është heshtja përherë flori?! A është shtyrja përherë urtësi?! A është moslargimi përherë zemërgjerësi?! Ndonjëherë të duhet vetëm edhe një zë, sa për ta bërë korin, se fundja, ashtu janë disa këngë, nuk këndohen vetë.

Afro dy dekada më ka shoqëruar një fjali që kurrë s’e kam pranuar. Por jo që isha i zëshëm kundër saj, sepse, thjesht, refuzimi nuk tingëllonte bukur pa kor, ndonëse më bezdiste edhe kur dikush e qëndiste bukur apo buronte nga dikush që e çmoja shumë. Është fjalia që e ka bllokuar analizën… është fjalia që e ka mbytur raportimin e përnjëmendtë… është fjalia që e ka tëhuajtur reflektimin…. është fjalia që e ka fikur planifikimin… është fjalia që e ka tkurruar mundësinë reale… është fjalia që e ka bërë ambiciozin gogol, punëtorin ngucakeq, e realistin mohues. Jo jo, as gogol, as ngucakeq, e as mohues nuk është. Thjesht, veç nuk është i cekët që të pajtohet me përrockën, nëse oferta ishte për detra.

Për çka është fjala?! Shumë projekte të aktivizmit islam nuk ishin menduar, planifikuar dhe realizuar mirë; por pastaj, thjesht, të gjitha, që nga analiza e deri te reflektimi, ishin të parapërcaktuara të mos dëgjoheshin nga zhurma e fjalisë bezdisëse: “Megjithatë, pati dobi!”; shumë takime pune e mexhlise planesh na u shndërruan në ndeja koti, por asnjëherë s’u bëmë merak, sepse fjalinë e kishim gati: “Megjithatë, qe takim i dobishëm, ja, u pamë!”; shumë tribuna, ligjërata e punishte dolën dobët, e ndoshta me efekt të kundërt, por jo që menduam si të përmirësoheshim për të ardhmen, thjesht: “Nuk ishte përpjekje bash krejt e padobishme!” - fjalinë e kishim hazër; shumë lëvizje islame e tollovitën terrenin e davetit dhe me paraqitjen e tyre të rrëmujshme e kthyen disponimin për fetari në një labirint që s’i dihet dalja, por gojëplotë thuhejs: “Megjithatë, pati dobi!”; shumë hapësira u zunë nga njerëz të padenjë që do ta luanin të pazëvendësueshmin, por “Ishin të dobishëm, më mirë këta sesa hiç!” - mendësia e betonuar sërish do të shprehej njëjtë.

E po, kjo mendësi duhet ta merr flakareshin që e meriton. Ky është veç një ngushëllim, miku im, por ne nuk kemi vdekur. I gjalli mendon, reflekton, raporton, përmirësohet, planifikon, rishikon, kritikon, e shumëçka… por kjo fjalia: “Megjithatë, pati dobi!”, sikur na thotë: vdisni! Mirëpo të jesh i pajetë nuk të jep të drejtë t’i shohësh të gjithë të tillë.

Çka është historia e zërit të gjetur për kor?! Këto kohë, që shumë vise të Islamit dhe të muslimanëve po heqin të zinjtë e ullirit, u riktheva të lexoj libra të shkruara veçmas për kauzat gjegjëse. Kauza këto që kanë shumë vuajtje, shumë çmime të shtrenjta e shumë protagonistë të mëdhenj, por që s’kanë (aq) libra të hartuara mirëfilli për të mbrojtur kauzën e tyre e për të zhbërë pretendimet e armikut. S’kanë?! E po, provoje dhe shihe! Mirëpo, në këtë ngjarje të kërkimit të librave për këtë kauzë, gjeta një libër të mirë, e po, hë, të mirë! Nuk e di, sa për të përfituar - për të mos dalur pa dobi, apo për ta përvetësuar mirëfilli këtë temë?! Megjithatë, dola me një dobi!

Dobia ishte që e gjeta një zë për në kor: “Nuk është e mjaftueshme të jesh i dobishëm” - do të thoshte ky autor i dobishëm.. Autori e denoncon mendësinë që më kishte bezdisur prej vitesh. Siç thotë ai, duke qenë që gjithkush i ka dhënë të drejtë vetvetës “të jetë i dobishëm”, por jo: më i miri, më i denji, më i thirruri, më i zoti, më bindësi, e më heshtësi, thotë ai, ne si kauzë nuk kemi as në arabishte, e as në gjuhët botërore libra të mirëfillta për të prezantuar denjësisht argumentet dhe dëshmitë e tona për kauzën, të drejtën dhe thirrjen tonë, ndërkohë që armiku përpara se të na kolonizonte, me dekada e shekuj kishte shkruar, hulumtuar e punuar që, një ditë, ai të kishte dy-tre autorë me renome botërore e tre-katër libra me ndikim botëtor, kundrejt nesh me qindra autorë, e mijëra libra, që më shumë duken si rrëmujë sesa si zgjidhje në një raft të mbuluar nga pluhuri. E pse s’ka zgjidhje?! Sepse mendësia që secilit kontribut t’i thuhet “Megjithatë, pati dobi!”, e secilit kontribues t’i detyrohemi ta falënderojmë si shpëtimtari i fundit, pa analizuar në denjësinë, leverdishmërinë dhe frytshmërinë e punës, na ka sjellur këtu: kemi avokaturë, por s’kemi, kemi zë, por s’kemi, kemi lëvizje, por s’kemi, kemi përpjekje, por s’kemi. Po pra, kemi sa për të thënë: “Megjithatë, pati dobi!”, por s’kemi për të zgjidhur problemin, për të çuar përpara kauzën dhe për të jetësuar qëllimet e mëdha.

E pra, nuk është e mjaftueshme të jesh i dobishëm, dhe kjo, shumë herë, shumë shpesh, shumëkah. Të jesh i dobishëm, diku do të thotë vetëmashtrim, mashtrim dhe gënjeshtër. Të jesh i dobishëm, diku do të thotë djegie mundësish dhe verbërim. E jo rrallë herë, të jesh i dobishëm do të thotë skllavëri, humbje, dështim dhe çmim të shtrenjtë.

Mos ji i “dobishëm”, por i denjë në dobinë që na duhet, na takon apo që e synojmë.


Mirsim Maliçi

25.05.2025, Shkup

Shpërndaje
Lexime dhe dobi

Kur mentori është, por s'është!

Lexo më shumë
Lexime dhe dobi

“...për ata nga ju që duan istikame.”

Lexo më shumë

Tags