Renditja e rreshtave në namaz është e lehtë, por pasi të kemi kryer namazin, nuk është që edhe na shoqëron kultura e rreshtimit. Pikë së pari, që të gjithë flasim, ndërsa koncepti i pasimit të imamit, na duket ngulfatje. Anipse deklarohemi që gjithçka në Islam ka një urtësi, megjithatë ne asnjëherë s’e kuptuam thellësisht që të kesh një drejtim, një qëllim, një fillim e një përmbyllje të përbashkët, është kuptim që na duhet edhe pasi të kemi dhënë “selam”.
Nuk bëhet fjalë thjesht për një grusht dispozitash, por rreshtimi dhe kryerja e përbashkët e lutjeve, është edhe më shumë se kaq, është mendësi, frymë dhe udhërrëfim. Bile edhe pas përmbylljes së adhurimit, një dispozitë shpjegon se si shtegtohet bashkë: madje, edhe përmirësimet e gabimeve sërish bëhen në bashkësi. Por jo vetëm.
Dallimi i faltoreve, i mesxhideve e i xhamive, se cila është për vakte, cila për xhuma, e cila për bajram, tregon rendin e shtrirjes dhe shkallët e hierarkisë që i japin plotësi kuptimit të xhematit. Nuk bëhet si ke qef, por si i ka hije.
E mbi të gjitha, çfarë e bën të lehtë krejt këtë ngjarje bashkësie?! Prej te ezani, e deri te lutja e daljes prej xhamisë, gjithçka e karakterizon qartësia. Po, qartësia! Ndaj, pas namazit pak e hiç na shoqëron kultura e rreshtimit, sepse aty gjithçka ishte e qartë, e pas namazit, shumëçka është e paqartë.
Dhe këtu është nyja që pamundëson bashkëpunimet, të cilat nga larg duken të mundshme. Nuk mund të bashkëpunosh në mjegull. Nuk bashkëpunohet në paqartësi. Nuk ngritet asnjë bashkëpunim pa qëllime të qarta. Nuk përfytyrohet një bashkëpunim ku prejardhja është e paqartë, e sotmja edhe më, kurse vizioni edhe më i turbullt. Nuk është e mundur të bashkëpunosh sepse paske ngjashmëri, por pse e ke të njëjtën mendësi, frymë e formim. Nuk ngriten bashkëpunimet me oportunizëm, por me parime të ngjizura përpara se ta kishe menduar bashkëpunimin. Thjesht, rreshtimi është natyrshmëri, po madje, rreshtimi është filozofi.
“Ti je xhemat, edhe kur je vetëm.” - është thënë kaherë.
Mirsim Maliçi
Shkup, 03.01.2026