Nuk është sinqeriteti një utopi, por as një kodrinë e lehtë jo. Çdo ngritje predispozon hapje të horizontit, por edhe marramendje. Dhe sikur daveti rrezikohet në horizonte të hapura, po aq sa në sokaqe të ngushta.
Në hapësira të ngushta shohim hallet e vërteta të njerëzve, dëgjojmë vajtimin e injorancës së tyre dhe zhurmën e urisë për dije, udhëzim e davet, por dhe prekim plagët për të kuptuar që na paska zënë të qetë gjumi dimëror, e pranë nesh paskëshim pasur fqinj të uritur. E po, kur ngritemi, e, sa shumë që i këndojmë kësaj ngritjeje, ne në horizont shohim turma që brohorisin e masa që na buzëqeshin, por nuk dimë cili çfarë plagë ka, po as nuk e dimë atë që e shohim nga larg: a janë turma ensarësh dhe muhaxhirësh apo thjesht tjetri mirazh që jemi gati për ta interpretuar?! Jo, mirazh s’është, se ne nuk jemi në shkretëtirë, thjesht, është një marramendje nga ngjitja lartë.
Unë s’kam fobi nga lartësia, por vetëm nga amullia e pranimit të sukseseve tona si fundi i idesë së mirë të lavrimit të arave të davetit. E kjo, të lutem, është marramendje. Dhe në marramendje, na humbin idetë. Na treten. S’kemi ide më. Mund të kishim pasur shumë, por jo kur dobësohemi, plogështohemi apo pushtohemi nga idetë që e vënë në gjumin mendimin. Ndërkaq, kur të jemi zgjuar, historia është shkruar e është shkarravitur. Interpretimin e kemi gati, por jo edhe mendimin.
Reformatorët nuk duan ninulla, thjesht, duan të vdesin në këmbë.
Shkup, 19.11.2025