Fetaria që është në mes teje dhe Zotit tënd e të cilën (akoma) s’e ke nxjerrë nga aty ku fshehen thesaret, e që përbën fondin me ibadetet më të çiltëra e më të motivuara nga dëshira për t’iu afruar Allahut, është vetë boshti i shtegtimit të përnjëmendtë drejt parajsës imanore të kësaj bote dhe të asaj të amshimit.
Dhe, në të vërtetë, sa herë që kjo fetari e pashfaqur e merr tatëpjetën, sakaq shkon përpjetë dëshira për t’u ushqyer me admirimin e njerëzve, e për të matur thuajse gjithçka në jetë me ta: a e dinë kush je, si ata i shohin arritjet e bëmat e tua dhe ç’vlerë e pozitë gëzon në mesin e tyre?! E kjo, është vetëfundosje në cilindo rrëfim ku njeriu, në të vërtetë, nuk është, e nuk do të duhej asesi të ishte strumbullari i qëllimit, e aq më tepër aty ku urdhri i pashmangshëm është që fytyra të drejtohet vetëm drejt të Vetmit, Njëshit.
Kjo vetëhumbje i ngjan hutisë së përzier me entuziazëm, të atij nomadit a malsorit që vjen nga viset e largëta ku nuk di sa shkon malli në qendrat e qytetërimit, e që dëshiron të futet në treg për të shitur a për të blerë diçka, ndërsa vendasit “nuk e lënë” dot të hyjë, duke e joshur e trullosur që të blejë a të shesë sa më shpejtë tek porta e tregut, që kështu ai të mos futet brenda tregut, saktësisht të mos hyjë brenda, në mënyrë që të mos mësojë çmimet dhe vlerat e vërteta të mallrave. E me çka kthehet ai?! Me vetëmashtrimin e shitblerjes së shpejtë. Sa keq!
Ndaj, miku im, mos e shit nijetin tënd tek porta e dynjasë, se aty të bie ta japësh më të shtrenjtën për asgjë, por shitu tek porta e ahiretit për ta fituar kënaqësinë e të Vërtetit, të Dashurit, të Denjit.
Qofsh madhëruar Zoti im, na e ruaj e na e pastro nijetin!
Mirsim Maliçi
Vjenë, 22.04.2022