Kthehu
Gjuhësi e letërsi
01 Shkurt, 2025
2 min lexim

Mirë se vjen o mallëngjim!

Hoxhë Mirsim Maliçi

 Janë ndjenjat dhe jo vetëm,

ato që poetin e quajnë shair,
janë lotët dhe lëmshi brenda,
që i nxjerrin vargjet me e pa hir!

Janë kujtimet dhe jo vetëm,
ato që vjershërimin e trazojnë,
janë copat e prushit brenda,
që malet e mallit i flakërojnë!

Por mallëngjimi i muvahidit,
nuk është si çdo mallëngjim,
tek mbushet me vaj për një dënesë,
ngazëllohet e lutet për një takim!

Për një takim në jetën e berzahut,
kur shpirtrat ngriten e lartësohen,
për një takim qiellor të fisnikëve,
që nga mundimet e dynjasë po lirohen!

Ata, vërtet, u nisën pa vullnetin e tyre,
por pasi vepruan me shumë vullnet,
e shijuan të hidhurën vdekje,
për ta gjetur të bukurin xhenet!

Të bukurin vend fatlumësh,
që fitohet me iman e amel,
si shpërblim nga Madhështori,
që s’ta humb as një kokërr mel!

Të bukurin vend fatbardhësh,
që fitohet me teuhid e ihlas,
si shpërblim nga Fuqiploti,
që dhuron mirësi pa mas’.

Mirë se vjen o mallëngjim,
tanimë po të pres çdo ditë,
por kujtimi për sexhdet e tij,
më jep shumë qetësi e dritë!

Mirë se vjen o mallëngjim,
tanimë po të pres çdo natë,
por kujtimi për çiltërinë e tij,
ma mjaltos natën e gjatë!

Mirë se vjen o mallëngjim,
se çdo ditë po më ngashëron,
por “Libri i teuhidit” në rafte,
kujtimin më të bukur ma freskon!

“Cilat mësime o ati im,
më së shumti po të pëlqejnë?!”
“Mësimet e teuhidit djali im,
që me argumente shkëlqejnë!”.

E paç teuhidin e ihlasin,
zahire të ahiretit,
u takofshim me profetët,
në kopshtet e xhenetit!

Mirsim Nazmi Maliçi
Shkup, 12.1.2024

Shpërndaje
Gjuhësi e letërsi

Veç një shenjë!

Lexo më shumë
Gjuhësi e letërsi

Paraprakisht!

Lexo më shumë

Tags