Leximi më i thjeshtë është ta lexosh tjetrin në bazë të mendimeve të tij. Mirëpo, në të vërtetë, njeriu, më shumë sesa mendimeve e bindjeve të tij, i takon shoqërisë, mendësisë, frymës, interesit, epokës dhe rrjedhave.
E po, diku një rrjedhë e kap dikë dhe ajo nuk e pyet se ç’mendon; në fakt, lundrimi i tij nuk i atribuohet aq atij, sa dikujt tjetër: vërshimit, i cili veçse e ka itinerarin e vetë.
Dhe nëse ai është peng i rrjedhave, të tjerët nuk janë peng i asgjëje që vlerësimin ta zhveshin nga shoqëria të cilës i përket, mendësisë të cilën e ushqen, frymës të cilën e epërson dhe interesit të cilin e synon, e që të gjitha këto merren vesh në fund të lundrimit, tek destinacioni.
Nëse dikush e shikon fundin, ai e ka vetëm një faj: që nuk pajtohet me shkurtëpamësit dhe viktimat e simbolikave, thjesht i duhet të jetojë më i vetmuar.
E po, një burrë i devotshëm ka mijëra arsye për ta respektuar, mirëpo mjafton, fjala bie, sëmundja e lakmisë dhe oportunizmi që e ç’burrëron për interesa të ngushta, pra, mjafton kjo që të jetë një i devotshëm që ti i shmangesh; si dhe, një urtak i mençur mund të ketë qindra arsye për ta nderuar, mirëpo mjafton, fjala bie, egocentrizmi që e verbon për t’i parë vlerat e të tjerëve, mjafton kjo që të jetë një urtak që nuk të bën përshtypje; si dhe, një misionar mund të ketë dhjetra arsye për ta vlerësuar, mirëpo mjafton, fjala bie, mungesa e vizionit, që të jetë një misionar të cilit i shmangesh në çdo udhëkryq.
Po pra, leximi i thjeshtë është lexim i fragmentizuar dhe i ngushtë: e lexon dhe e vlerëson individin, shkrimtarin, hoxhën, personazhin, e lexon tjetrin mbi bazën se çka thotë, çka mendon, çka beson. Ata nuk e lexojnë protagonistin, se cilës shoqëri i takon, cila e frymë e lëviz, në cilat rrjedha ecë, cila mendësi e karakterizon dhe për cilat interesa vepron. Po pra, thënë troç, lexim fukarallëku. Varfëri është, anipse nuk është maskarallëk. Varfëri e paragjykimit të detit me qetësinë e sipërfaqjes së saj.
Këto rreshta nuk janë për të varfërit, se ata duhet të ndihmohen, por për të pasurit, që të shpalosin kamjen që ua ka dhënë Allahu: “E ti, dëftoji të mirat e Zotit tënd” (Kurani, 93:11).
Pra, ti që nuk lexon kështu, pra, që nuk lexon ngushtë dhe jerm, ti që nuk i mbyll sytë, të lumtë! Urime vetmia! Mirëpo…
Ti je i pasur me parime, jo me raste. Subjektet e leximit ndrrojnë, por jo dhe parimësia. Ti nuk i mbyll sytë ndaj aksh autorit, aksh shkrimtarit a aksh hoxhe, e ashtu, çdo vit ata shtohen, përsëriten, shfaqen e përfshihen, mirëpo ti gjithherë lexon me po atë metodologji. Përpos mendimeve dhe bindjeve, gjurmimi dhe shtjellimi merr në konsideratë, kombinon, krahason, kritikon dhe e gatuan kritikën mbi prejardhjen dhe destinacionin, përbri motiveve dhe prirjeve, të cilat bashkëudhëtojnë me mendësinë, rrethin, frymën, interesin dhe epokën.
S’e ke të lehtë! Askush s’e ka të lehtë, veçse vështirësia (mund të) tretet kur nuk kalkulon me parimet e rënda të mendjeve të lehta.
Mirsim Maliçi
Shkup, 26.04.2026