Kthehu
Ese dhe vargje
09 Dhjetor, 2025
2 min lexim

Më keq sesa në një ëndërr të lahtarshme

Hoxhë Mirsim Maliçi

Nuk është popull i varfër ai që perandorive u jep sundimtarë, e qytetërimeve dijetarë, por medoemos, jo edhe i pasur. Mes kamjes dhe skamjes është mesi i shumicës: të pafat kur kanë, e të paaftë kur s’kanë. Aty njerëzit e ngrejnë dollinë në shtratin e vdekjes, asaj vdekjeje të quajtur mediokritet dhe prapambeturi, madje dhe japin shpirt për atë që ua shton dehjen, që kështu ta kalojnë më lehtë agoninë e një vdekje të quajtur vetëmashtrim. 

Por dollia pa këngë nuk shkon dhe, herë jehon patriotizmi i fjalëve, e herë fetarizmi i deklaratave, por përherë, larg nga aty ku është përnjëmend patriotizmi, e përnjëmend fetaria. 

E ti, gjeje vetën, përpara se të të gjejë turma që kanë gjetur gjithçka, përveç të vërtetës. Përqafoje të vërtetën, përpara se të të përqafojnë broçkullat që, herë përzihen me të vërtetën, e herë haptazi llomotisin kundër saj. Ti e ke obligim vetvetën, po edhe aty këtu ndonjë tjetër, që mund të jetë më i mirë se ti, por jo, me gjasë, edhe më me fat se ti, se fundja, e ndani të njëjtin fat: i takoni popullit që jep sundimtarë e dijetarë, por sundimin dhe diturinë e bijve të vetë, e fut në labirint.

E po, s’e kanë me të keq që nuk të lëjnë rehat: hë, gjeje fillin ti që thuake dike të na sundosh e të na mësosh, ja dil nga labirinti, se të thjeshtën e dimë të gjithë. E dimë?! Po po, siç ditëm të ishim vasalë, shërbëtorë e derëtarë, për mijëra vite, të shumëkujt, por asnjëherë nuk ishim…. Nuk ishim, çka?! Nuk ishim ajo që të përfytyrohet kur vetëmashtrimi të deh dhe kur injoranca të verbon.

E po, “të ulesh në tryezën ku shërbehen pijet dehëse është haram” dhe, sikur ky rregull fetar, ma lehtëson të ta them troç: rrethi injorant është lajm i keq.

E po, cili është lajmi i mirë? “Shpërblimin e ke varësisht mundimit” - thotë rregulli tjetër profetik.


Mirsim Maliçi,

Shkup, 09.12.2025


Shpërndaje
Ese dhe vargje

Veç një shenjë!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Paraprakisht!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Mirë se vjen o mallëngjim!

Lexo më shumë

Tags