Kthehu
Ese dhe vargje
16 Dhjetor, 2025
3 min lexim

Fisnikëria nuk dhurohet, e as nuk grabitet

Hoxhë Mirsim Maliçi

Fisnikëria nuk dhurohet, e as nuk grabitet. Fisnikëria nuk është monopol i askujt, po as nuk është këngë e ndonjë klase. Fisnikëria është edukim, kulturë dhe përkatësi. 

Fisniku është zotëri edhe kur e godet skamja dhe është zotëri edhe kur mbulohet me pasuri. Fisnikëria është përtej qytetarisë, e përtej fshatarësisë. Fisniku ta lë syrin çelë edhe me bukë e kripë e zemër, por edhe me bollëk.

Marifeti dhe vlerat prej shtëpiaku janë kostumi i tij që nuk i zhvesh në asnjë stinë. Ato merren herët, përpara se të kishe menduar njëmend a të jetosh apo jo me fisnikëri.

Çfarë u mungon njerëzve?! Çfarë u mungon njerëzve kur bëjnë pak lek e çoroditen, derisa e humbin vlerën, e pastak nuk bëjnë ata vetë as pesë para?! Fisnikëria, miku im! Ajo u mungon! Se e kaluara prej varfanjaku nuk është e metë, por lakmia prej të çmenduri, po! Çfarë u mungon njerëzve kur fitojnë pak vëmendje e krekosen, derisa vetëpëlqimi i çon në vetëpërbuzje?! Fisnikëria, po çfarë tjetër?! Se vetëm fisniku e di sa kripë autoritet i hudhet gatesës së lavdisë, e sa kripë modesti, e sa kripë falje, e sa kripë tëhuajtje. Çfarë u mungon njerëzve kur arrijnë pak pushtet e përbalten, derisa kapitullin e fundit e kanë mallkim?! Fisnikëria, vëllai im! Se fisniku ka kujtimin e etërve dhe ëndrrën e pasardhësve, e librin e lavdisë nuk e përmbyll as me admirim e as me mallkim, por e lë trashëgimi të hapur që të shkruhet edhe më pas, pas vdekjes së tij. Çfarë u mungon njerëzve kur jetën e kthejnë në garë lavdërimi e fryerjeje, e në shfaqje mendjemadhësie, e në dramë vuajtjesh për t’u dukur më të lumtur sesa të tjerët? Thjesht, fisnikëria! Se fisniku është i lirë, kurse të përvuajturit nga robëria e vëmendjes njerëzore dhe skllavëria e epërsisë së llojit, janë robër që as me frymëmarrje nuk ngopen. Çfarë u mungon njerëzve kur s’kanë tjetër bisedë, veç qefeve, hajës, rrobave, luksit, veturave e bredhjeve?! Fisnikëria, shoku im! Se vetëm me fisnikëri matet pesha e njësive të vogla, por të shtrenjta: një gram flori i diturisë, familjes, miqësisë, kulturës, sjelljes, traditës, e fjalës, peshon pakrahasueshëm më shumë se krejt dushku i sapopërmendur, të cilin sot, truama e varfërisë së djeshme, mëton të na e shet si kulmi i arritjes.

Sprova e fisnikërisë është e lehtë për fisnikun, por e tmerrshme për jabanxhiun. Të gjithë duam të shikohemi tek e njëjta pasqyre. Po sa keq! Por edhe më keq kur mendojmë se jemi pasqyrë e njëri-tjetrit. Fisnikëria e bën dallimin e madh, madje më shumë sesa raca, prejardhja e kombi.

Fisniku nuk asimilohet. Ndoshta vuan, por nuk ndrron. Ndoshta vetmohet, por nuk tjetërsohet. Thjesht, nuk di të jetojë ndryshe.


Mirsim Maliçi

Shkup, 16.12.2025

Shpërndaje
Ese dhe vargje

Veç një shenjë!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Paraprakisht!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Mirë se vjen o mallëngjim!

Lexo më shumë

Tags