Kthehu
Edukim dhe tezkije
20 Shtator, 2025
5 min lexim

Çertifikimi i rrejshëm

Hoxhë Mirsim Maliçi

Fetaria e përnjëmendtë, pas mbarësisë që ta jep Zoti, është edhe një syçelësi dhe mendjehollësi. Në këtë domethënie, kaherët ishte thënë, që mençuria e fetarit matet edhe me njohuritë e tij për shtigjet, anët dhe pritjet prej nga e sulmon shejtani. Ndryshe, këtë koncept e gjejmë në literaturë edhe si “portat e shejtanit”, saktësisht drejtimet nga ku ai përpiqet të të dëmtojë besimin, mendimin, devotshmërinë, qëllimin dhe synimet e tua si rob i Zotit.

Nëse njeriu e njeh veten e tij, ai mund të kuptojë se në cilat pika shejtani është pozicionuar për t’ia zënë rrugën drejt Allahut, saktësisht nisma e rrugëtimit tonë të njohjes së armikut është nga vetë njohja e vetvetës. Ja, fjala bie, nëse e njeh vetën që ke prirje fodulloku e krekosjeje, me gjasë aty shejtani do të gjuajë fuqishëm, sikurse, fjala vjen, nëse i ke fort për zemre lavdëratat nga njerëzit, edhe kjo është një derë ku shejtani do të vërsulet më egër.

Një prej portave të rrezikshme është edhe ajo, që mund ta quajmë, “ikja nga projekti i përmirësimit, i pendimit dhe i kthimit tek Zoti, duke u mbuluar me vepra të mira që dëftojnë a duken si përkushtim e devotshmëri”. Njeriu mund të bëjë vepra të mira, të angazhohet fort në to, por pa dëshirën e sinqertë për t’u kthyer tek Zoti e për të korigjuar gabimet dhe për të lënë mëkatet, por me një tendencë meskine për të “vërtetuar” diçka që nuk i vërtetohet ashtu Allahut. Thënë ndryshe, më me zhargon: a kryen punë një maskë në raport me Allahun, edhe nëse si maskë merret vepra e mirë?!

Për shembull, vjen ramazani dhe i përvesh mëngët e përpiqesh shumë në ibadete të ndryshme, e krejt kjo me synim që ta rëndosh peshoren e veprave të mira me shumë sevape; deri këtu krejt është në rregull. Mirëpo, nëse ky përkushtim bëhet me motiv të vetëamnestimit, duke menduar që po i tregon Zotit se ti je i mirë, anipse në brendësi nuk e ke menduar asnjë rishikim të kontratës me Allahun: as të pendohesh, as të heqësh dorë prej diçkaje të ndaluar, e as angazhohesh tutje si rob në detyrat e tua. E po, vallë, vërtet ka gjasë kjo?! E po ndoshta, fjala bie, ligjërimi fetar i ramazanit që ka të bëjë me privimin - kush është i privuar e kush jo në ramazan, të bën shtypje që ta bësh një “listë” të veprave, që më lehtë ta qetësosh ndërgjegjën tënde në fund të muajit: ja pra, nuk jam i privuar! E po! Ja, dola fitimtar! Fitimtar pa u përmirësuar?! Fitimtar pa u kthyer?! Fitimtar pa e pranuar fajin?!

Ja edhe një shembull tjetër; ky maskim mund të ndodhë edhe kur shkuarjen në umre apo edhe në haxh, e bën (më shumë sesa me idenë e rëndimit të peshojës) me një përkushtim për t’i “treguar” Allahut se jam i devotshëm, e jo i humbur, anipse në brendësi nuk e dëbon, e as që e ke projekt për ta dëbuar gamën e mangësive, mëkateve dhe gjynaheve, të cilat kërkojnë pendim dhe korrigjim, dhe jo vetëm një shpërfaqje devotshmërie.

E po, le të marrim edhe dy shembuj; të qash, e ndoshta edhe të vajtosh me dënesë i mbërthyer nga faji për mëkatin apo i pushtuar nga një domethënie fetare, por pa menduar për të hequr dorë prej mëkatit, nuk është ai loti i shërblyer që e mendon si dëshmi që ti je i mirë; në fakt, loti me ndjenja të përziera, por pa presion të domethënies së kthimit dhe të pendimit, mund të jetë një derë prej dyerve nga ku shejtani po zbavitet me ty. E, çka pra, të mos qajmë?! Lotët janë të vlefshëm, apo, thënë më saktë, janë ato për të cilat flet teksti fetar, vetëm kur vijnë nga një zemër me nijet të pastër, sado fajtore qoftë ajo, por me vendosmëri për t’u kthyer tek Allahu dhe, mes tjerash, lotët janë një shteg afrimi tek Allahu nëpërmjet keqardhjes së shpërfaqur me lot dhe frikës së përkthyer me pikëllim.

Merre dhe shembullin e fundit. Në diskursin fetar nënvizohet shpesh që namazi i sabahut, është një test i rëndë; po po, i rëndë, por jo përfundimtar. Dhe dëshira për të mos ndryshuar në mori kapitujsh të fesë që duhet të ndryshojmë, të pendohemi e të përmirësohemi, kur njeriu bie në grackë të shejtanit, mund të shkojë në kreativitetin më idiot. Çfarë?! Një përkushtim të denjë në këtë adhurim, mirëpo jo duke e parë si një detyrë ndër detyrash të kontratës me Zotin, por duke e parë si kalim testi për çertifikimin e devotshmërisë, anipse ne e dimë që janë sa e sa kapituj të fetarisë që na nxjerrin të padenjë. Përkundrazi, një përkushtim në këtë adhurim do të duhej të ndjellte edhe më shumë ndjenjën e vetëllogarisë, vetëdijën e vetëqortimit dhe këmbënguljen e vetëkorigjimit.

Përkushtohu për t’iu afruar Allahut, bëje më të mirën për ta fituar kënaqësinë e Allahut, e përgatitu për takimin me Allahun, e mos bir në grackën e djallit, që copa e copëza të fetarisë t’i mendosh si maskë për moslëvizjen tënde drejt jetësimit të plotë të fetarisë.

“Të qajturit është dhjetë hise; një është për Allahun, e nëntë të tjera për të tjerët krahas Allahut. Nëse të vjen e qajtura për Allahun një herë brenda vitit, edhe ajo është shumë.” - Sufjan eth-Thevri


Mirsim Maliçi

Shkup, 20.09.2025

Shpërndaje
Edukim dhe tezkije

Fitimi i rrejshëm i syfaqësisë

Lexo më shumë
Edukim dhe tezkije

Ndryshimi në mesin e shkumës

Lexo më shumë
Edukim dhe tezkije

Syfaqësia është verbëri

Lexo më shumë

Tags