“Ia mësova shigjetimin, e së pari më gjuajti mua” - do të thoshin arabët, atëbotë kur ende s’ishte thënë, që kur ti e rrit me zor dikë të predispozuar për vocërri, ai nuk do të ngurrojë të del prej lëkurës së vocërrisë duke e tejkaluar atë që e pati mësuar se si të veshet me madhështi.
Mirëpo tejkalimi, injorimi, mohimi dhe mosmirënjohja ndaj atij që të ka mësuar, është ofendim i vetvetës.
E po, i bie që, o ke mësuar, e nuk ia ka vlejtur: e sa mendjemprehtë është dikush që humb disa vite në një sorrollatje? O i bie, ke mësuar, duke pasur tjetër qëllim: e sa i padinjitet është dikush që gëlltit kaq shumë të qëndrojë në rolin e rrejshëm, në rolin që s’e meriton?! O i bie, ke mësuar, e nuk ke përfituar: e sa kokëtrashë është dikush që kaq shumë mësime s’i hyjnë në kokë?! O i bie, ke mësuar çfarë s’ke pasur nevojë për to: e sa bosh është dikush që i jep kaq kohë diçkaje që s’i duhet?! O i bie, ke mësuar tek njeriu i gabuar: e sa mendjelehtë është dikush që shumë vonë e vë re që ka ra në grackë?! O i bie, ke mësuar gjërat e ditura për ty: e sa i padijshëm është ai që përsëritjen nuk e sheh investim?! O i bie, ke mësuar dhe vërtet ke përfituar, e ia ke tejkaluar vetë mësuesit: e sa i kokëtul është dikush që mendon ta vjelë frytin, duke e tharë rrënjën?! O bie, kë mësuar dhe mësuesi s’po ta jep mundësinë: e sa i paaftë është dikush që mëson si hapet pusi, e nuk e hap vetë gjetiu?!
E po, ja kjo është e vërteta: mosmirënjohësi është lajmëtari i çdo lajmi të keq kundër vetvetës. Vetë mosmirënjohësi ma ka mbushur mendjen që të mos i jap vëmendje dhe domethënie, e ta tëhuaj dhe ta largoj, e të mos e llogaris, e ta nxjerri prej mendje.
Të falemnderit mosmirënjohës, të jam shumë mirënjohës!
Mirsim Maliçi
Shkup, 23.04.2026