• Notifications
Kthehu
Ese dhe vargje
11 Nëntor, 2026
2 min lexim

I vetmuar, dhe jo vetëm!

Hoxhë Mirsim Maliçi

Vetmia është zhytja ku nuk i ndalet fryma mendjeve që gjallërojnë me ambicie dhe është përhumbja ku nuk e humb kthjelltësinë ai që është i gatshëm të paguajë çmimin e synimit: i vetmuar, por pikërisht aty ku ka synuar, ġarīb, por mëse i përmbushur. 

Kur dikush egon e vet' e injoron dhe e kamxhikos me vetmi, tëhuajtje dhe ngjitje ku s'ka duartrokitje, ai po synon kapituj historie ku s'ka turma, por shumë vetmi. Se turmat i lëviz rrethana, emocioni dhe dëshira, kurse lundruesin në dallgët e ëndrrave, e lëviz arsyeja, shpirti dhe imagjinata. 

Çdo ditë e më shumë vetmi, për shumë ëndrra është më shumë jetë, frymëzim e prurje. Dhe kur peizazhi i ambicieve të ketë marrë pamjen e plotë, misioni në përmbyllje do të ishte mëse premtues: e pati fatin të ndërtojë diçka me vlerë, anipse në vetmi, e tani, e pastë fatin që ta shoqërojnë veprat e vlefshme në varrin plot dritë, anipse nën dhè. 

Vetmia është miniera e mendimit, zbulimit dhe e dritës, porse vetëm për ata që e kanë fatin të ulen aty ku në histori ka pak ulëse. 

Mos e ndiqni shembullin e të vetmuarve, se nuk janë për t'u ndjekur, thjesht, lindin të tillë, por jini me ta, se ata, vetëm në shpërndarjen e dritës nuk e duan vetminë. Vetmohen për të gjetur vetën dhe dalin kthyeshëm nga vetmia për t'i kthyer të tjerët tek vetja e tyre. 

E kur i pushton edhe vetmia e epokës, e jo vetëm e shoqërisë, ata gjejnë tek e kaluara ngushëllimin për ta kaluar të tashmen, porse të ardhmen e shpresojnë më shumë se asnjëherë.


Mirsim Malìçi

Shkup, 11.11.2026

Shpërndaje
Ese dhe vargje

Veç një shenjë!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Paraprakisht!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Mirë se vjen o mallëngjim!

Lexo më shumë

Tags