Imamët e davetit (protagonistët e davetit reformator të Nexhdit; shën. përkth.), Allahu i mëshiroftë, kanë treguar shumë kujdes e kanë dhënë shumë kontribut në shpjegimin e fjalës së teuhidit. Shejh Muhamed Ibn Abdulvehabi, e ka shtjelluar atë në një ese të posaçme, gjegjësisht në një përgjigje të tij, sikurse e ka trajtuar edhe tek “Keshfu’sh-shubuḥāt”, e pastaj, ashtu njëjtë edhe komentuesit e “Kitābu’t-teuḥīd”-it, e të tjerë. Në vijim po citoj atë që e ka thënë shejh Sulejman Ibn Abdullahu në “Tejsīru’l-‘azīzi‘l-ḣamīd”[1]
«Fjala “lā ilāhe il-lall-llāh”, e ka këtë domethënie: nuk ka të adhuruar të vërtetë, përveç një të adhuruari të vetëm, që është Allahu, i cili nuk ka ortak, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhërishëm: “Ne, nuk kemi dërguar asnjë pejgamber para teje e që të mos ia kemi shpallur atij: “S’ka ilāh përveç Meje, andaj adhuromëni Mua!” (Kurani, 21:25); si dhe: “Ne çdo populli i kemi dërguar nga një pejgamber. (Ata u thonin atyre): “Adhuronie Allahun, e shmanguni nga taġuti (gjithkush që adhurohet krahas Allahut)!” (Kurani, 16:36). E, ashtu siç është provuar e vërtetuar, fjala “el-ilāh” do të thotë: i adhuruar, ndaj Profeti (sal-lallahu alejhi ve selem!) kur u tha pabesimtarëve të fisit kurejsh: “Thuani: “lā ilāhe il-lall-llāh”, ata i kishin thënë: “A dëshiron ai që prej gjithë të adhuruarve të bëjë vetëm një të adhuruar? Me të vërtetë, kjo është një gjë e çuditshme!” (Kurani, 38:5); e populli i Hudit kishte thënë: “A mos na ke ardhur ti neve, që ne të adhurojmë vetëm një të adhuruar, e t’i lëmë ato që i kanë adhuruar prindërit tanë?” (Kurani, 7:70). E, në të vërtetë, ai (e çdo profet) i kishte thirrur ata tek kjo fjalë, e cila e ka këtë domethënie, që të adhurohet vetëm Allahu dhe të brakistet adhurimi i gjithkujt tjetër krahas Tij, gjegjësisht të mohohet taġuti (gjithkush që adhurohet krahas Allahut), e të besohet vetëm Allahu i Madhërishëm.
Kjo fjalë madhështore aludon që ilāh nuk mund të jetë askush tjetër veç Allahut, dhe se të gjithë të adhuruarit krahas Allahut, janë e kota më e kotë, sikurse pohimi i tyre është padrejtësia më e madhe, sepse askush nuk e meriton adhurimin, përveç Allahut. Në këtë fjalë i mohohet denjësia e adhurimit gjithkujt tjetër krahas Allahut dhe i pohohet ajo vetëm Allahut të Madhërishëm, e që kjo, në të vërtetë, të obligon ta kesh vetëm Allahun të adhuruar, si dhe të ndalon qartazi ta kesh një të adhuruar tjetër, përpos Tij. Pra, janë të nënkuptueshme pohimi e mohimi, në një lloj fjalish që e kanë këtë ndërtim, siç është, fjala bie, nëse ti e sheh dikë që po kërkon një fetva nga dikush që s’është i denjë për t’u pyetur, e po i lë ata që janë të denjë për t’u pyetur, e, kur ti i thua: “Ky s’është mufti, në të vërtetë, mufti është filani!”, kjo ngërthen në vete urdhër dhe ndalesë (mos e pyet atë, por vetëm të vërtetin; shën. përkth).
Në botëkuptimin e ‘el-Ilahijje’ (nocion i prejardhur nga “ilāh”; shën. përkth.) përfshihen të gjitha llojet e adhurimeve, që i shprehen e i dedikohen me dashuri, përulje e nënshtrim vetëm Allahut, e askujt tjetër. Gjithsesi, duhet të veçohet Allahu me to; siç janë lutja, frika, dashuria, tevekuli, pendimi, kurbani, e sexhdeja, e të gjitha llojet e adhurimeve. Që të gjitha duhet të bëhen vetëm për Allahun, e kushdo që, diçka nga këto që i kushtohen e i takojnë vetëm Allahut, ia kushton dikujt tjetër krahas Allahut, është një idhujtar, edhe nëse e shqipton fjalën “lā ilāhe il-lall-llāh”, sepse ai nuk e ka jetësuar atë që e kërkon kjo fjalë, e që është njëjësimi i Allahut.
Fjalët e dijetarëve rreth domethënies së fjalës ‘ilāh’
Ibn Abasi ka thënë: “Allahu, është Ai që i takon el-Uluhije dhe el-‘Ubudije mbi të gjitha krijesat e Tij (pra, i Denji për t’u adhuruar nga të gjithë krijesat, e që të gjithë ata janë robër të Tij; shën. përkth.)”; e ka shënuar Ibn Xheriri dhe Ibn Ebi Hatimi. El-Vezir Ebu’l-Mudhafer Ibnu’l-Hubejra, në “El-Ifṡāḣ”, ka thënë: “Dëshmia se s’ka ilah përveç Allahut, obligon që dëshmuesi të jetë në dijeni që s’ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut, siç thotë Allahu: “Dije se s’ka ilah përveç Allahut.” (Kurani, 47:19); si dhe, ai që e shqipton këtë dëshmi, duhet ta ketë në konsideratë thelbin e dëshmisë, gjegjësisht Allahu i Madhërishëm ka treguar që dëshmuesi i një të vërtete, nëse nuk është në dijeni rreth saj, nuk është në përnjëmendësinë e dëshmuesit që jep dëshmi me dije: “...të cilët dëshmojnë të vërtetën që e dinë.” (Kurani, 43:86).
(E tek fjala “lā ilāhe il-lall-llāh” gjejmë që) Emri i Allahut vjen pas ndajlfoljes “il-lā” - përveç, krahas, kjo pasiqë Atij, pashmangshëm dhe domosdoshmërisht, i takon e drejta dhe denjësia e adhurimit, e kjo nënkupton që duhet ta pohosh e ta dish, se gjithkush i krijuar, i ardhur në ekzistencë, e që ka një fillim, ai s’mund të jetë i adhuruar, prandaj, kur thua: “Lā ilāhe il-lall-llāh”, ti veçse ke thënë, që të gjithë, përveç Allahut, nuk janë e nuk mund të jenë ilah, ndaj duhet ta njëjësosh Allahun.
Kjo fjali ngërthen në vete edhe mohimin e taġutit, e pohimin e imanit në Allahun, e vetëm kur e mohon denjësinë e adhurimit për gjithkënd dhe e pohon atë vetëm për Allahun, vetëm atëherë je nga ata që e kanë mohuar taġutin dhe e kanë besuar Allahun. Ebu Abdullah el-Kurtubiu, duke komentuar fjalën “Lā ilāhe il-lall-llāh”, ka thënë: “Nuk ka të adhuruar përveç Tij”. Ez-Zemekhsheriu ka thënë: “‘El-ilāh’ është emër prej emrave të llojit (...) dhe përdoret për gjithkë që adhurohet, qoftë me të drejtë apo pa të drejtë, por pastaj ka dominuar përdorimi për të adhuruarin e vërtetë”.»
Ibn Xhibrini (Allahu e mëshiroftë!) [2]
Përktheu nga arabishtja: Mirsim Maliçi
Shkup, 17.11.2024
[1] Sulejman Ibn Abdullah Alu’sh-shejh, “Tejsīru’l-‘azīzi‘l-ḣamīd fī sherḣi kitābi’t-teuḣīd”, me recension të Zuhejr esh-Shavish, el-Mekteb el-Islamij, Bejrut, 2002, f. 52.
[2] Nga faqja zyrtare e shejhut.