Ikja nga dijetarët bashkëkohorë, e nga eruditët e ballinës sunite, gjegjësisht mosreferimi tek përfaqësuesit ilmorë të trashëgimisë profetike të kohës në të cilën jeton, është një problem menhexhor (zakonisht shkaku i një përkatësie menhexhore jashta vijës së këtyre ulemave), por që si problem hamendësohet që lehtësisht mund të fshihet.
E si u fshehkan këto shmangie?! Citoji e referoju dijetarëve të autoritetshëm të së kaluarës, të së shkuarës së largët, e pastaj, s’ka gjë pse s’ke referim e ke hequr dorë, e bën sikur nuk ekzistojnë dijetarët bashkëkohorë. Po, e vërtetë, kjo mund të mos përbëjë problem të madh në situata rreziku dhe rrethana të pushtetit sugjestiv, por, megjithatë, edhe kur je i arsyetuar, edhe kur s’je, ka logjikë të të shtrohet pyetja, se çfarë rreziku paskësh, e cili pushtet të sugjestionuaka?! A mos është rrezik shpalosja e përkatësisë jashta vijës së ulemave dhe a mos është ai pushteti i heshtur, një sugjestionues që, në fakt, tregon se të munguaka pavarësia për t’u vetëpërcaktuar sipas dijes, dijetarëve dhe mësimeve, e që t’u duheshka të marrësh leje dikund për t’u përcaktuar?!
Në të vërtetë, kjo është një hile që zvetënon vlerën e trashëgimtarëve të Profetit (sal-lallahu alejhi ve selem!), që sikur u themi, ne - të vegjlit - nuk iu kemi begenisur juve - të mëdhenjve, ne të padenjit që krekosemi para kodrave të ilmit, që kemi zgjedhur t’i referohemi vetëm dijetarëve të së kaluarës. E si?!
Një urtësi thotë që, secili nxjerrë sipas kovës së vetë, dhe sado që duket që palët e nxjerrin të njëjtin ujë, në të vërtetë, nuk e kanë të njëjtin rezultat: pusi është i njëjtë, por kova dhe ujënxjerrësi nuk është i njëjtë. Për një mesele, që ajo të jetë e qartë dhe e ndërtuar mirëfilli, fjala bie, duhet të nxjerren disa kova ujë nga trashëgimia e dijetarëve të së kaluarës, ndërkaq dikush e nxjerrë vetëm një kovë - se aq ia lejon rreziku dhe sugjestionuesi, e atëherë, vallë, a mund të pretendohet që palët kanë përcaktim, vlera dhe referenca të njëjta?! Jo! Kanë ngjashmëri, por jo njëjtësi të vetëpërcaktimit! Kush e bën dallimin?! Pala e tretë, dijetarët bashkëkohorë që nuk i detyrohen rrezikut tënd, e as pushtetit të tjetrit, por që ndjekin një vijë në senedin e ilmit që më veçse ka filluar me të tjerë para tyre, e që është konsoliduar e qartësuar për njerëzit e lirë për t’u vetëpërcaktuar denjësisht.
Si duhet vepruar?! Thjesht, ne jemi Umeti i senedit, e senedi nuk është shkëputur, përkundrazi në këtë periudhë është forcuar aq sa të kujton kohën e selefit.
Mirsim Maliçi
Shkup, 21.11.2024