«Më ka ngjarë të arrijë diçka prej interesave të kësaj bote, por duke ndjekur disa lehtësime fetare, porse… Ja, ua them troç, sa herë që më vinte diçka e dynjasë nga kjo rrugë, unë pësoja humbje në zemrën time dhe, sa herë që më hapej udha për këto interesa, më shtohej errësira në zemër. E një herë i thashë vetës: o shpirt i lazdruar! A nuk e di që mëkati ta prangos zemrën, ndërkaq Profeti (sal-lallahu alejhi ve selem!) na ka thënë: “Pyete zemrën!?! E po, nuk ka hajr në dynjanë në tërësi, nëse ardhja e saj e përlyen zemrën, e madje, edhe xheneti nëse do të ishte fituar me diçka që e damkos dhe e cenon fetarinë, nuk do të kishte qenë i këndshëm. Të bësh gjumë në mbeturina, por me zemër të pastër e të pa përlyer, është më e këndshme sesa të flesh në kushte mbretëtore.» - Ibnu’l-Xheuzi, Sajdu’l-Hatir, f. 163
Madhështia e reflektimeve të dijetarëve, nuk është tek devotshmëria dhe zuhdi si përcaktime dhe ambicie të larta që sheshazi duken, por tek një vetëdije themeltare që çon tek këto qëllime fisnike: vetëdija për zemrën.
Të jesh i vetëdijshëm për zemrën do të thotë të jesh, të ekzistosh. Sikundërqë, një gaflet që e ka përjashtuar zemrën nga vëmendja, i ngjan vdekjes, pra, të mos jesh.
Pra, të flasësh për devotshmërinë e për zuhdin, e të tingëllosh që po lundron drejt ambicieve të larta imanore, por pa zemrën, pa tezkije, e pa stërvitje e pa kurim të zemrës, është të flasësh për mbjelljen, kultivimin e vaditjen, por pa një cope toke, pa një arë. E, vallë, ku do ta mbjellësh atë farë?!
Mirëpo, cila është përhumbja më e frikshme?! Të synosh diçka të madhe që nuk bëhet pa zemër, kurse gjendjet e zemrës nuk i vë re fare. Zemra errësohet, lodhet e përmbyset, por nuk e hetojmë. Zemra vuan, lëngon e përkeqësohet, por as që e ndiejmë. Zemra kalbet, ndryshket e kundërmon, por as që e nuhasim. E, vallë, si mund të kemi synime që kalojnë kah ura e zemrës, kurse zemrën s’e vëmë re?! Harruam që ajo ekziston!
Nuk është synimmadh ai që i ka ngulitur sytë drejt një porte suksesi, kurse çelësin që e ka me vete, e ka humbur përgjatë udhës. Çelësi është zemra, o synues i devotshmërisë!
Mirsim Maliçi
Shkup, 18.11.2026