Prirja e njeriut për krahasim, aq sa është e natyrshme, është një dembeli tjetër e mendjes së llojit njerëzor. Po, një përtaci mendjesh që duan gjithçka ta krahasojnë me një shije të njohur më parë, pa e menduar që ajo që s’kemi si ta krahasojmë është po aq e gjerë dhe e shpeshtë, sa vetë ajo që mund ta kapërcejmë në operacionin e analogjisë.
“Pse dikush shkollohet”, “si duhet të ndërveprohet me kapitujt e jetës pasi të kesh kryer shkollën”, “si kthehet aftësimi në një ngjarje jete”, e “si bëhesh i dobishëm pas një rrugëtimi dijeje”, e kështu me rradhë, sado që janë “dilema” të njëjta tek të gjithë, ndoshta dikund “sui generis”-i bëhet kokëfortë. Kështu duket edhe me nxënësit e dijës fetare: e kanë të qartë çfarë udhe kanë zgjedhur, por qartësia “sikur” iu zbehet kur iu “shtohet” dituria.
Pa hyrë në zbërthimin e lëmshit se “çfarë duhet të bëjë një kërkues dije pasi të përfundojë studimet islame”, sepse shumica e fijeve janë fije koti, më duhet të them, që ambicia e një shërbëtori të Islamit është tjetër nga gajlosja e një punëtori të mundshëm të Islamit. Sidoqoftë!
Le të kthehemi tek dobia për të cilën nuk kam udhëtuar. Një dobi jete, që do të doja çdo kërkues i dijës ta rrënjoste në zemër. Për të mos thënë, një çelës i udhëtimit të hoxhallarëve të së ardhmes.
Në një përditshmëri medinase, ku takimi me dijetarët ishte një vlerë përtej fatit të mësimit tek ata, gjegjësisht po aq sa ishe i begatuar të ulëshe para një dijetari, ishe i begatuar të befasoheshe duke i rastisur gjithandej.
Nuk jam rrëfyes, e as fatmadh i takimit që për mua ishte një shi; e shiu të duhet si në shkretëtirë, si në vise të gjelbëruara, por gjithnjë uji është jetë edhe kur nuk resh mbi ty.
Dikush prej shokëve të studimeve kishte pasur fatin ta takonte një dijetar. Jo çfarëdo dijetari, por mentorin që kishte gatuar profesorët dhe shujūhët tanë: Muhamed Muhtar esh-Shenkitin. E habitshme, sikur ky rast të ishte më madhor sesa ulja në mexhliset e “Muvaṭa”-s, ku shejhu na mësonte se sa nuk dimë; ato pak mexhlise që isha ulur, për të mos thënë që kisha mësuar.
Çfarë ishte ky takim i rastësishëm, mes një nxënësi dijeje, e një dijetari të madh?! Një takim ku nuk mungoi rrezatimi që i duhet bimëve, qofshin duke u rritur apo duke u vyshkur. Nuk e di ku isha unë, por rrezet i ndjeva, e po i ndjej akoma si një burim jete.
“Shejh, çfarë na këshillon, si të veprojmë pasi të kthehemi, si t’i qasemi davetit, si të menaxhojmë shfaqjen, si të… si të…?!” - një varg pyetjesh me një shqetësim: çka nesër pas përfundimit të shkollës?! Dhe shejhu iu kishte dhënë një mori “parathëniesh”, derisa ua kishte dhënë dobinë madhështore: “Mëso dhe përgatitu denjësisht për të qenë një hoxhë a dijetar i përgatitur dhe vyeshëm, pa u shqetësuar për këto “pse”-të e së ardhmes, e kur të vjen momenti që i “duhesh” Islamit, Allahu do të të nxjerrë ty në mejdan, deshe ti apo jo.”
Nuk kam fjalë ta shpjegoj këtë mrekulli. Thjesht, pushtimi i saj që atëherë më shoqëron, anipse kanë kaluar thuajse një dekadë e gjysmë.
Nuk kam udhëtuar për këtë dobi, por do të ia kishte vlejtur edhe të udhëtoja.
Mirsim Maliçi
Shkup, 19.06.2026