• Notifications
Kthehu
Ese dhe vargje
25 Shkurt, 2026
2 min lexim

Nuk jam ai, unë jam unë!

Hoxhë Mirsim Maliçi

E folmja është rrezatimi i vlerave të ngjizura në identitetin kulturor të njeriut. Ne mund t’i takojmë të njëjtës gjuhë, por jo edhe të të njëjtës të folme. Pra, jemi dy përkatësi të ndryshme, anipse “jemi” një. 

Në fakt, nuk jemi një, edhe pse me të njëjtën gjuhë shprehim idetë e tona, madje as nuk jemi një edhe atëherë kur me të njëjtën gjuhë shprehim po të njëjtën ide; ne jemi të ndryshëm, ashtu siç janë piktorët të ndryshëm, anipse me të njëjtat ngjyra pikturojnë të njëjtën natyrë. Jo vetëm kjo! 

Ne jemi të ndryshëm, edhe kur i takojmë të njëjtës shkollë të pikturës, e të njëjtit koncept të artit, megjithatë shpirtin, sytë dhe duart nuk i kemi të njëjta. Edhe më hiç synimet, shijen dhe përshpëritjet e shpirtit t’i kemi të njëjta, e ku më rrënjët t’i kemi të njëjta apo ujin që i ka ujitur ato. 

Të qenët ndryshe në origjinalitetin e pikënisjes, pikëlëvizjes dhe pikësynimit do të thotë autenticitet. Më saktë autenticiteti do të thotë vlerë, ngjarje dhe histori. Dhe askush s’e dëshmon këtë autenticitet më shumë sesa fjala. Ti je vetë fjala! Ashtu dhe unë! 

Pra, unë jam ai çfarë them, jo ai që ti e krahason, jam ai që shkruaj, jo ai që ti e përfytyron, jam ai që ligjëroj, jo ai që ti me të më njëjtëson, jam ai që mendoj, jo ai që ti e kupton. 

Ç’jam?! Një rob i varfër, por vetvetja, i mangët, por vetvetja, çalaman, por vetvetja. Thjesht, një bujk i dobët që shet vetëm bereqetin e bahçës së vetë, e jo një tregtar i suksesshëm që i ofron tregut çfarë kërkohet. Një piktor që ndjek frymëzimin e vetë, e që, mbi të gjitha, një piktor që pikturën e shijon kur e bën, jo kur e shet.


Mirsim Maliçi

Mekë, 25.02.2026

Shpërndaje
Ese dhe vargje

Veç një shenjë!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Paraprakisht!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Mirë se vjen o mallëngjim!

Lexo më shumë

Tags