Ligjërimi fetar sot është aq i përhapur, saqë shtresëzimi i diskutimeve rreth tij duket sikur është ende herët. Ashtu sikurse diskutimet rreth ligjërimit fetar janë shtrirë pa një kornizë të mirëfilltë, saqë të duket e largët të kontribuosh në këtë drejtim. Megjithatë, ndoshta fragmentizimi do të ishte një zgjidhje pa pretendim të gjerë.
Kaherët janë përplasur mendimet e mendimtarëve dhe të studiuesve, se kë e quajmë intelektual, cili është roli i intelektualit dhe çka e dallon atë në një shoqëri. Secili përkufizim ka kontribuar në këtë përpjekje kthjelltësimi, por edhe në mua për të hyrë (pak më) i vetëdijshëm në një ngjarje që, si atëherë dhe sot, besoj që meriton më shumë vlera, parime dhe qasje intelektuale.
Mirëpo përkufizimi i Eduard Seidit, sikur ka shumë për t’i dhënë botës, të cilës i janë shtuar njerëzit e arsimuar, e i janë pakuar intelektualët. E, po sikur madhështia e tij tek orientalizmi, ashtu diçka e gjejmë atë edhe tek sa gërryen në këtë temë: intelektuali i munguar. Por megjithatë, edhe përkufizimet e tjera ta shtojnë hutinë dhe ta vërtetëtojnë dyshimin për pakësinë e intelektualit në mesin tonë.
Mes tjerash, ai e vlerëson intelektualin si misionar e anëtar jo i zakonshëm i shoqërisë, e jo si kalimtar pa zë dhe jo si një i arrirë për kokën e vetë; citoj: “Intelektuali është individi që zotëron aftësinë për të përfaqësuar dhe artikuluar një mesazh, pikëpamje, qëndrim, filozofi ose opinion përpara publikut dhe në emër të tij”. Pra, intelektuali është jo vetëm më i arsimuar dhe më i arrirë në vlerat e tij, por shumë (më) i denjë për t’iu dhënë zë pikëpamjeve dhe kauzave që u takon, për t’i zhvilluar ato dhe për t’i mbrojtur ato në emër të atyre që i besojnë apo që iu kanë rreshtuar atij si një flamurtar. Dhe pikërisht këtu e kam dhimbjen e ligjërimit islam, me përjashtimet e veta.
Pra, ligjërimet fetare kanë shumë vlera dhe po bëjnë një revolucion të mirë në shoqëri, mirëpo sot nuk jemi në ditët e para të rizgjimit islam. Na duhet guxim dhe sinqeritet, që krahas lutjeve që Allahu i Madhërishëm t’i shpërblejë të gjithë ata që kanë kontribuar dhe vazhdojnë dhe sot të kontribuojnë, na duhet vullnet dhe zemërgjerësi që ligjërimin islam ta vëmë në diskutime të mirëfillta dhe në analiza premtuese për një të ardhme edhe më të mirë të davetit.
Po kthehem tek fragmentizimi. Një copëz e telashes që besoj duhet të na shqetësojë në raport me ligjërimin islam. Është ajo që Eduard Seidi thotë, që “...më së paku një intelektual duhet të jetë aty ku është, që njerëzit (që po e dëgjojnë apo po e ndjekin) të ndihen mirë”. Pse, ç’të keqe ka, që njerëzit të ndihen mirë prej ligjërimit tënd?! E keqja është që nuk është kryer mirëfilli misioni, që sipas tij, ai që merr këtë rol në shoqëri, duhet të jetë “i sikletshëm, kundërshtues, madje i pakëndshëm.”
Pra, ligjërimet masive islame sot janë shumë të kujdesshme për audiencën, shumë, përherë me disa përjashtime. E gjejnë xhematin në një nivel kuptimi dhe aty e mbajnë: prej aty e shpjegojnë atë çfarë duan. E gjejnë në një nivel artikulimi dhe aty e mbajnë: prej aty e shpjegojnë kumtesën e tyre. E gjejnë në një nivel pjekurie dhe aty e mbajnë, prej aty e shpjegojnë atë që e përfaqësojnë. E gjejnë në një nivel gjuhe dhe aty e mbajnë, prej aty e shpjegojnë mesazhin. Dhe ky është një davet kumtues dhe, falë Zotit, është shumë i mirë, por…
Shoqëria jonë i përket Islamit dhe interesimi për ligjërimin islam është më shumë sesa nevojë për shpjegim, pra, nevojë për shpjegim dhe edukim, shpjegim dhe ndërtim, shpjegim dhe formësim, shpjegim dhe identitet. Pra, edukim, ndërtim, formësim dhe identitet fetar, shpirtëror, shoqëror, kulturor, filozofik dhe, madje edhe gjuhësor. E për t’u arritur kjo, nuk duhet të jemi të kujdesshëm për të mos i trazuar nga aty ku janë e ku i gjejmë, por qëllimisht duhet t’i lëvizim nga aty ku i gjejmë, e të këmbëngulim që t’ua japim kahjen kah duam t’i çojmë.
Ky është misioni i përfaqësuesve të ligjërimit islam dhe është pikërisht ajo që e thonë shumica e definicioneve për intelektualin: nuk i përgjigjet kërkesës së blerësit, por e bind blerësin potencial për atë se çfarë duhet të blejë. E nëse është misionar edhe më ambicioz, atëherë e ndihmon edhe që të pasurohet, e të vijë deri tek standardi që e bën atë një blerës që e përballon koston e asaj që i ofrojmë.
Pra, kur xhemati thotë: “Hoxhë, e kuptova!”, e kemi një arritje të mirë, mirëpo kur thotë: “Hoxhë, që kur të dëgjoj, kuptoj ndryshe!”, misioni po shkon tamam si duhet.
Mirsim Maliçi
Shkup, 24.11.2026
Lexo më shumë