Çdo ripërtrirje e vlerave shoqërohet me mori prurjesh, që ndoshta nuk kanë të bëjnë me thelbin e po atyre vlerave, por kanë një ndikim thelbësor. E këtillë është kurreshtja për shembulltyrat e të parëve tanë, pasi je rreshtuar në vlerat e devotshmërisë, diturisë dhe davetit. Në të vërtetë, ti rreshtohesh për shkak të kumtesës hyjnore, por jetësimi i tyre nga brezat pararendës, është një sihariq i të ardhmes tënde në mesin e rreshtave pasardhës.
Entuziazmi për diturinë ta hijeshon librin e Dhehebiut “Sijeru e’alami’n-nubela”, kurse synimi i devotshmërisë ta zbukuron atë të Ebu Nuajmit “Hiljetu’l-evlija”, por kërshëria e një davetçiu në ardhje, e zgjuar nga motivi i shpërblimit të amshimit, vallë, ku mund të gjejë lumin e rrëfimeve të mbarësisë së davetit, për t’u freskuar në këtë rrugë, e për t’i shpërlarë sytë pas zgjimit prej gjumit të gjatë?!
Po iu rrëfej për një burim, e çfarë burimi! Burim lumenjsh, e jo vetëm i një përrocke që bashkohet në një lum të madh. Një burim që flet shqip, e na bie mbi kokë si një ujëvarë që jo vetëm që na zgjon, por edhe na e jep një goditje të fortë, që pastaj, përveç reflektimit të na kujtohet edhe dhimbja e shijuar.
Mulla Hashim Kuleta (1912-1994), hoxha dhe mësuesi i madh i kohës, që në një prej veprave të shkruara për të, me denjësi do të quhej “pishtar i arsimit në Llap”. Ai kishte vdekur pak vite pas lindjes sime, por pak vite prej fillimit tim të davetit, një fjalë e tij më erdhi si një burim jete.
Në një udhëtim dy-tre ditësh në Linz të Austrisë, udhëtim daveti dhe vëllazërie, në një ndejë të grishjes shembullore, e pyes nikoqirin me shumë kurreshtje rreth mbiemrit të tij Kuleta. Mes tjerash më rrëfen për hoxhën e familjes, për Mulla Hashimin. Nga fjala në fjalë, e në rrëfim në rrëfim, erdhëm tek burimi i zgjimit. E pastaj, i shkruaj edhe hoxhës Muhamed Dërmaku për ta dëgjuar atë rrëfim edhe prej tij.
Protagonistë të ngjarjes janë Mulla Hashim Kuleta, një hoxhë i përgatitur, por që nuk e kishte ushtruar detyrën e imamit të xhamisë, por atë të mësuesit, dhe Hafiz Idriz Dërmaku (1934-2020), që ishte hoxhë, imam dhe veprimtar i madh, që të mjaftonte ta shihje për të reflektuar. Të dy kishin krijuar një afërsi përgjatë kohës që hafiz Idrizi ishte imam në Podujevë.
Ndërkohë, dijetari i madh Abdulkadir el-Arnauti (1928-2004) kishte filluar të vinte herë pas here në Kosovë. Hafiz Idrizi e kishte takuar këtë kolos të hadithit në vitin 1976, kur kishte dëgjuar për ardhjen e tij në Istog. Prej asaj kohe e tutje, shejh Abdulkadri do të vinte në Kosovë edhe si mysafir i hafiz Idrizit.
Ardhjet dhe lëvizjet e davetit të shejh Abdulkadrit, do të përktheheshin në mision dhe reforma në odën e takimeve të ilmit të Hafiz Idrizit në Podujevë (ku hafizi kishte shërbyer si imam prej viteve 1980 deri më 1985). Në një prej ligjëratave të xhumasë, shejh Abdulkadri do të ligjëronte për mrekulli në gjuhën shqipe, me shpjegime të thjeshtësuara e të mbushura me shumë prova fetare. Ç’ka këtu për t’u habitur?! Një dijetar që gjithë jetën ia ka kushtuar ligjërimit.
Pas përfundimit të dersit të dijetarit, hafiz Idrizi e pyet Mulla Hashimin, që për herë të parë kishte pasur rastin ta dëgjonte ligjërimin e shejh Abdulkadrit. “O Mulla Hashim, qysh t’u duk ky hoxha?!” - do ta pyeste hafizi veteranin e arsimit, që e kishte edhe ixhazetin e hoxhës. Mulla Hashimi i kishte thënë: “Pasha Zotin, ky i kishte po ç’ato ajete, e po ç’ato hadithe që i kenà edhe nà, nuk kishte diçka mâ shum’, veçse m’u duk që ky po i palojke mâ mir’ dhe e kishte mâ përnime sesa nà.”
Në dy fjali, ky është hoxhallëku i mirëfilltë, një kombinim i urtësisë e mençurisë me vërtetësinë e sinqeritetin. Po, dituria është thelbësore, mirëpo, dituria, në njërën anë pa urtësi, apo, në anën tjetër, pa sinqeritet, ç’dobi mund të ketë për shoqërinë?!
Ta rënditësh diturinë me urtësi, ta zbërthesh me mençuri, ta shtrosh me largpamësi, e ta argumentosh me arsyeshmëri, e krejt këtë, ta thuash me sinqeritet e vërtetësi, nga thellësia e zemrës, e me dashamirësi duke synuar udhëzimin e njerëzve, përherë duke mos përllogaritur në asgjë përpos kënaqësisë së Allahut të Madhërishëm, kjo me një fjalë, është çelësi i davetit të mbarë e të hajrit: “...m’u duk që ky po i palojke mâ mir’ dhe e kishte mâ përnime sesa nà.”
Nuk kam udhëtuar për këtë dobi, por do të ia kishte vlejtur edhe të udhëtoja.
Mirsim Maliçi
Shkup, 26.07.2026