Që jeta është shkollë, kjo s’do mend, por që pakkush shkëlqen në këtë shkollë, edhe kjo është mëse e qartë. Një ditë të kësaj shkolle të papërfunduar, e kam kaluar ballë për ballë me një mësues, që në vegjëli e kisha shembulltyrë, e kisha.
Ishte bisedë “koti” rreth ujit. Vlerat e ujit dhe çfarë uji pimë, e pse në nënqiellin tonë ka aq shumë probleme shëndetësore shkaku i ujit, ndonëse viset e tona kanë shumë ujë të mirë. Më tregoi diçka, me të cilën m’i zgjodhi shumë nyje.
“Lumi, liqeni e penda kanë ujë shumë të mirë, mirëpo gypat janë shumë të vjetër e të pamirëmbajtur, ndaj dhe e prishin cilësinë e ujit derisa vjen tek ne.” - më tha shumë i qetë, e për të më qetësuar me këtë fjalë për shumë momente kur “ndihesha” pa shpjegim, për pyetjet meskine: a nuk jeni të njëjtë?! A nuk e keni të njëjtën metodologji fetare?! A nuk i keni të njëjtit dijetarë?! A nuk jeni krejt aktorë të një ngjarje të njëjtë të davetit?! Ta them të drejtën, unë kam pasur huti, por jo pyetje. Ujin që e kisha pirë nga ujësjellësi që kishte filluar të ndryshonte e të ndryshkej, ishte tjetër nga uji tek burimi. Burimi s’ka faj, po as shfajësues nuk është i gjithkujt që thirret tek burimi. Burimi ekziston përpara se të ekzistonin ujësjellësit tanë. Ujësjellësit shkojnë e vijnë, burimi është ai - i pashtershëm dhe origjinal.
Nuk ishte kjo fjali e vetme e qetësimit. Edhe një fjali tjetër e plotësonte vlerën, veçse në momente të caktuara, ajo aq sa të qetëson për të ardhmen, edhe të mërzit për të kaluarën: a jemi të sigurtë për ujin që kemi pirë?!
“Në vend që t’i ndrrojnë gypat apo t’i ndreqin ato, ata i shtojnë - madje me teprim - elemente të tjera ujit, e që pastaj edhe ato e rrezikojnë shëndetin!” - fjali kjo edhe më kthjelltësuese sesa e para. Pra, shpesh protagonistët e davetit - ujësjellësit, na sollën kuptime e shpjegime, që esenca e atij uji ishte po ajo e burimit, por shtimet - me ihxhtihad, me nguti, me xhehël apo lakmi - nuk janë që nuk e rrezikojnë shëndetin botëkuptimor, anipse prapë uji është tahur.
Pra, shumëkush pretendon rrjedhën dhe lidhjen me burimin, mirëpo dituritë, argumentet, librat, konsekuenca, shembulltyrat dhe protagonistët e denjë të vetë burimit, ngelin burimi më i sigurtë për të vërtetuar njëjtësinë apo tjetërsimin e ujit.
Nuk kam udhëtuar për këtë dobi, por do të ia kishte vlejtur edhe të udhëtoja.
Mirsm Maliçi
Shkup, 07.08.2026