Qytetërimi islam nuk është qytetërim arab, mirëpo as virtytshmëria arabe nuk është thjesht një tullë e historisë së lavdishme islame, por vetë një themel i saj. Nuk mund të lexosh për periudhën e lulëzimit të Islamit, veçse do të gjesh që epiqendra e Islamit janë trashëgimtarët krenarë të virtytshmërisë dhe fisnikërisë së bijve të Ismailit (alejhi’s-selam!). Dhe për habi, librat më lavdërues, por edhe më përçmues, të shkruara kaherët për arabët, janë nga joarabët. Dhe më shumë sesa rrëfime për vlerat që u takojnë apo jo, kjo temë për ne përbën temë feje: porosi dhe miratim i vlerës së popullit nga i cili ishte përzgjedhur vula e profetësisë.
Pa hyrë tek vlerat që i dallonin ata, e aq më tepër, pa hyrë tek vlerat që (sa) dallohen sot, arabët prijësojnë për një vlerë që i duhet fetarit të njëmendtë. Po, sado fetar i mirë të jesh, të duhet kjo për të mos e lënë kalanë e vlerave të duket sikur një shtëpi e braktisur.
Urf-i është një nocion islam që i referohet një parimësie të pashkruar, por që shpesh ka peshë sikur të jetë shkruar në gur. Sikur ta përkthenim si zakon, rend e traditë, nuk e di sa do të ishim të qartë në mesazhin që duam të përcjellim. Urf-i nuk është veç një rend shoqëror e një fisnikëri e njerëzve që janë mirëkuptuar për disa vlera; është më shumë sesa kaq. Është rrëfim nga një kujtesë që nuk ka harruar ç’ka qenë virtyt e sjellje e mirë denbabaden, po edhe dëftim si mendojmë ta ndërtojmë të ardhmen.
Nuk janë të pakta rastet e përditshme ku matesh që, pyetësin apo palët, t’i këshillosh për devotshmëri e dije, por gjen që të dyja ato jo që u mungojnë. Ngjashëm, sikur kur nuk mungonte “adalet”-i i transmetuesit të hadithit, por që ndoshta një arsye tjetër e bënte të diskutueshëm transmetimin e tij. Nëse e kemi devotshmërinë dhe dijen, atëherë çfarë qenka ajo që munguaka?!
Fetaria e sotit e ka një krizë. E ndonjëherë krizat sikur nuk kanë zgjidhje, e kjo ngaqë problemi vështirë që vihet re. Sikur që nuk vihet re lehtësisht “ilet”-i i hadithit, ku ana sipërfaqësore e hadithit asocon në autenticitet, por hadithi është daif. Por, vërtet sot një fetari e përhapur ka krizë dhe është daif-e.
Për çfarë fetarie është fjala?! Çka “daif”-i na mundon, nëse nuk na mungon devotshmëria dhe ilmi?! Si bëhet që transmetues të devotshëm e të ditur, të kenë transmetime të refuzueshme?!
Urf-i! Sa pak dimë, e sa shumë na duhet të dimë. Të dimë rendin e burrërisë, marifetin e fisnikërisë dhe traditën e mirëshkuesisë. E sidomos…
Fetaria pa urf-in e porositur nga vetë feja, është një fetari ku robi i shmanget vetëm shkeljes fetare, por jo edhe shkeljes së traditës, e që për pasojë, duke shkelur zakonin, duke shkelur “atë që dihet” që nuk duhet të shkilet, e atë që përbën rend e marifet tek njerëzit e virtytshëm, hyn në komunitetin e njerëzve të pavirtytshëm.
E pra, që ta kemi më të qartë. Po, mund që fetarisht ta kesh kontratën e vlefshme, por shkelja e urf-it të rreshton aty ku s’duhet të rreshtohesh. Për shembull, ti mund të jesh një tregtar i zoti, por kur zotësinë e kthen në dhelpëri, që, pa shkelje të drejtpërdrejta i shkakton dikujt humbje, e për të cilat nuk ka llogaridhënie, atëherë ti emrin e zotësisë e ruan, por atë të virtytshmërisë nuk e fiton. Shembull tjetër; ti mund të jesh bashkëpunëtor i zellshëm, por kur ecurinë e orkestron drejt një imagjinate të padeklaruar, atëherë ti ambicioz je, por jo edhe shok i sinqertë. Edhe një shembull; ti mund të jesh një mik i përkushtuar, por kur miqësia nuk shoqërohet me mirëdashje edhe kur përfundon interesi reciprok, ti i takon një modeli miqësie që nuk do t’ia kishe uruar pasardhësve tu.
Fetvaja këtu thuajse është në qorrsokak. As nuk ke si të japësh vendim për shkelje, se shkelja nuk evidentohet, po as nuk mund të nxjerrësh palët të pajtuara. Sikur një burrë që e shfrytëzon hallallin e divorcit, se “martesa qenka konsumuar”, anipse periudha e konsumimit është plot sakrificë, besnikëri e përkushtim. Ose, sikur një tregtar që vetëm me praninë e tij e prish pazarin e njerëzve që ishin gati për të përmbyllur shitblerjen, e që hiç pa bërë zë ai ka ndërhyrë mes dy vetave. Ose, sikur një prind që thirret në obligimet optimale që i kryeka ndaj fëmijëve, por që hodonizmi i tij e ka drejtuar kah qefet për të cilat flijon gjithçka, madje edhe respektin shoqëror që iu duhet fëmijëve të tij pas tij. Shembuj e shembuj, ku nihilizmi dhe kaosi kulturor i ngjiten fetarit që nuk ngurron të pyet: “Më fal, ku kam bërë shkelje fetare?!”.
E po, rregullat që dihen, sjelljet që nuk ka nevojë të potencohen, mirëshkuesitë që priten, e fisnikëritë që as nuk mendohet të shkruhen, janë urf-i që, kur mungonte tek selefi ynë, transmetuesi mund të renditej si i dobët e i diskutueshëm. A e kemi parasysh pra, sa të drejtë jemi, e sa të shtrembër mund të dalim?!
Pra, mos pyet vetëm rreth hallallit dhe normës, por edhe për fisnikërinë dhe marifetin. Në fakt, në një rreth të hallallit, dallimi është me urf-in e fisikërisë dhe traditës. Mos pyet vetëm rreth kufijve dhe kushteve, por edhe për burrërinë dhe hikmetin. Në fakt, në një rreth ku nuk ka shkelje fetare, dallimi është me urf-in e mirëshkuesisë, nderimit dhe zemërgjerësisë.
Sot hallallin e kemi në gjuhë, por edhe mosmarrëveshjet mes njerëzve të hallallit, nuk janë që mungojnë. Sot hallallin e kemi parrullë, por ndërtesa e ngritur mbi të, po lëkundet edhe pa stuhi. Nuk është faji te hallalli, por tek vetmimi i tij. Asaj i duhet një shok që e kompleton atë. Ai është urf-i.
Mirsim Maliçi
Shkup, 22.06.2026
Lexo më shumë