Qasja vizionare e protagonistëve të kauzave shoqërore, është më themelore sesa suksesi i tyre në kthesa historike. Se kthesat ndonjëherë mund të jenë edhe momentume të pashmangshme, gjegjësisht jo që dikush ka bërë kush e di se çka, e që pastaj ta ligjërojë suksesin, ndërkaq qasja lypset lënë “vakëf”, gjegjësisht të lihet si një rrugë e shtruar edhe për udhëtarë të tjerë. Në të vërtetë, më shumë sesa brohoritje për suksese individuale e klanore që edhe mund të jenë “ngjarje të konsumuara”, duhet largpamësi për të ardhmen që “mund të na konsumojë të gjithëve”.
Dhe, ja një vizion i munguar. Veprimtarët, saktësisht kryepersonazhet e suksesshme të grupeve shoqërore që e shërbejnë një kauzë të njëjtë, por me natyrë konkurrimi, garimi dhe polarizimi, kur janë në ngritje dhe pozitë, duhen të merakosen, punojnë dhe të kontribuojnë (edhe) për konkurrentët e tyre. Po, po, duhet t’i ndihmojnë opozitës së tyre, e madje ndonjëherë duhet të ngurrojnë t’i godasin me aq sa munden. Jo se duhet të jenë aq të prirë nga zemërgjerësia për tjetrin, por nga bashkëndjenja e kauzës së njëjtë ku konkurrojnë: sot ti, nesër tjetri.
Po pra, sot ti je i forti që dominon, por jo përjetësisht, dhe kur atij t’i vjen e nesërmja e tij, mos të shkojë ai tek e nesërmja e kauzës së përbashkët: i dobët, krejt i rraskapitur, i përçarë, e i copëtuar, se kur ai të zëvendëson pasi e ke dërmuar, ai e dërmon vetë kauzën tënde.
Pra, nëse sytë i ke kah kauza, atëherë aq sa ia dëshiron vetës pozitën dhe suksesin, aq dëshiroja konkurrentëve tu, (të cilët) një ditë mund të të çojnë në opozitë, dëshirojau: stabilitetin, denjësinë dhe kompaktësinë e veprimtarisë, organizimit dhe vizionit të tyre.
Pra, kur ti nuk i ndihmon konkurrentit që ai të reformohet, e nëpërmjet suksesit tënd nuk e nxit atë të ristrukturohet, e madje kur ti, me dinakëri e lojë të pandershme e përçan, e dobëson dhe e shpërbën atë, në të vërtetë, ke punuar kundër vetës.
Veprimtari i denjë nuk është që heq dorë prej garimit dhe rivalitetit, por megjithatë krejt bashkëveprimtarët e rreshtuar në tabore të ndryshme, por brenda një kampusi, i llogarit kandidatë potencialë për t’i zëvendësuar apo për t’u zëvendësuar nga ta, e aspak, të paktën ashtu do të duhej të ishte, ai nuk punon për t’u ngritur duke i çuar ata në histori.
E po, të jem pakëz më i qartë: dikush shkon në histori, mirëpo lëre të shkojë vetë, mos e ço ti.
Mirsim Maliçi
Shkup, 25.01.2026
Lexo më shumë