Kthehu
Mësime dhe ndërtim
15 Shtator, 2025
3 min lexim

“...e shënojmë atë se ç’kanë punuar dhe gjurmët e tyre.”

Hoxhë Mirsim Maliçi

وَنَكْتُبُ مَا قَدَّمُوا وَآثَارَهُمْ ۚ

“...e shënojmë atë se ç’kanë punuar dhe gjurmët e tyre.” (Kurani, 36:12)


Do të shtegtosh dhe vështirësitë e shtigjeve do t’i kesh në memoaret e përmallimit për shpërblimet e synuara. Edhe rrugë të gjata do të bësh, e ndoshta do të numërosh vetëm distancat e kaluara. Ndoshta në çdo kthesë dhe pushimore do të përzihesh nga brenda: ç’bëmë, e ç’duhet bërë, por përherë duke menduar të numërueshmet: kaq hapa, kaq distancë, kaq rrugë.

Mirëpo ky numërim nuk është i mjaftueshëm në rrugën e davetit. Madje, ky numërim mund të shterret shpejtë, ndërkaq lumi i furishëm i davetçiut që synon odat parajsore të reformatorëve, nuk guxon të shterret.

Çka i bie të mos numrosh?! Të jetosh me bindjen që një ditë, diçka që s’e kishin shënuar engjëjt, ngaqë i takonte zemrës, të shfaqet për ta rënduar peshojën e veprave të mira. Të jetosh me shpresën që një ditë, hapat e numruara në rrugën e davetit të mos peshojnë më shumë sesa dashuria që të vuri në lëvizje për ato hapa, sesa shpresa që të mbante tek sa i bëje ato hapa, sesa durimi tek sa gjembohej duke i bërë ato hapa, sesa gëlltitja e mllefit kur të mohoheshin hapat, e sesa falja kur hapat të shfrytëzoheshin jo për çfarë i ke bërë. Thjesht, ajo që ishte brenda të ishte e një madhështie të pakrahasueshme me hapat, distancat dhe shtigjet, që dikush një ditë do t’i rrëfejë për një të vdekur gati të harruar, e dikush do t’i shpalos në ekspozitën e madhe të amshimit për të marrë në llogari një të ringjallur.

Thelbi i kontribut më madhor të davetit, islahit dhe aktivizmit islam, nuk është ndreqja e një individi a e një grupi shoqëror, sa është ndreqja e një rendi që e ndreq individin, shoqërinë dhe brezat. Në fakt, ndreqja e një individi është me fatin e përmendur në pjesën e parë të fragmentit kuranor: “...e shënojmë atë se ç’kanë punuar…”, ndërkaq ndreqja e rendit është më e gjerë: “...e shënojmë atë se ç’kanë punuar dhe gjurmët e tyre.”.

Gjurmët i fshin shiu, por le të fshihen pasi e kuptuan shtegtarët se kah është rruga, se shtegu i shkelur ruhet.

Gjurmët i fshin era, por le të fshihen pasi e zbuluan shtegtarët peizazhin përreth shtegut, se një ditë do të kthehen tek ajo pamje e bukur.

Gjurmët i fshijnë edhe bashkëudhëtarët, por le të fshihen, se fundja gjurmët nuk numrohen.

“...e shënojmë atë se ç’kanë punuar dhe gjurmët e tyre.” (Kurani, 36:12) E shënon?! I Drejti që, në dynjanë e pavlerë, i porositi harrestarët: “...mos ua lëni mangu njerëzve gjërat e tyre…” (7:85). E shënon?! Bujari që të ka frymëzuar për të mbjellur hajr, e: “...sikur të mos na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të përudheshim.” (7:43). E shënon?! Falësi që me ato gjurmë shlyen gjurmët e dënueshme.

Vërtet, jeta është e shkurtër: “Një ditë a gjysmë dite” (18:19), por e mjaftueshme për të lënë gjurmë për një jetë pa fund: “...unë nuk dua tjetër veçse të përmirësoj aq sa mundem, e këtë nuk mund ta arrij ndryshe veçse me ndihmën e Allahut, vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai kthehem me pendim!” (11:88). 

Dhe fillimi i ajetit, sikur e ka një mesazh: “Vërtet, Ne i ngjallim të vdekurit dhe e shënojmë atë se ç’kanë punuar dhe gjurmët e tyre.” Kush jep jetë?! Kush ngjallë?! Ai që është i Denjë të njëjësohet, i Denjë të synohet, i Denjë të shpresohet dhe i Denjë të shërblejë.


Mirsim Maliçi

Shkup, 15.09.2025

Shpërndaje
Mësime dhe ndërtim

Ndryshimi?! Vetëm atëherë kur Islami të jetë qendra e qendrave tona!

Lexo më shumë
Mësime dhe ndërtim

Që ta shpëtosh dikë në rrethrrotullim

Lexo më shumë
Mësime dhe ndërtim

Gatuani mendjet që të mendojnë!

Lexo më shumë

Tags