Hutbeja e parë
(Hyrje)
Falënderimet e plota janë për Allahun; Atij i thuri lavde dhe i kërkoj falje, e i kërkoj mbrotje prej të keqës së shpirtrave dhe veprave tona. Kë e përudh Allahu, s’ka kush e shmang nga rruga e drejtë, e kë e devijon, s’ka kush e përudh.
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ
O besimtarë! – druajuni Allahut ashtu si duhet t’i druani dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!
يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً ۚ وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالْأَرْحَامَ ۚ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا
O njerëz! Druajuni Allahut, i Cili ju krijoi prej një individi, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë mashkuj e femra. Dhe druajuni Allahut, me emrin e të cilit, ju i kërkoni njëri-tjetrit diçka dhe i ruani lidhjet farefisnore. Se, Allahu, me të vërtetë, është përherë mbikëqyrës i juaji.
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا ﴿٧٠﴾ يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ۗ وَمَن يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزًا عَظِيمًا
O besimtarë, druajuni Allahut dhe thoni vetëm fjalën e vërtetë, që t’ju përmirësojë veprat tuaja, dhe t’ju falë mëkatet tuaja. E, kush e dëgjon Allahun dhe Pejgamberin e Tij, ai ka arritur shpëtim të madh.
Më tej:
Fjala më e vërtetë është fjala e Allahut, e udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (sal-lallahu alejhi ve selem!), ndërsa veprat më të këqija janë sajesat, se çdo sajesë është risi, e çdo risi është lajthitje, e çdo lajthitje është e përfundueshme në zjarr.
O ju besimtarë!
Devotshmëria për Allahun e Lartësuar është përgatitja dhe furnizimi më i mirë në këtë jetë dhe për jetën e mëtejme, ndaj jini të devotshëm ashtu siç duhet, e së këndejmi, përpiquni t’i afroheni Allahut me gjithfarë që Allahu e do dhe është i kënaqur! Shfrytëzoni ditët që po iu vijnë, ja, po iu vjen ramazani, po iu vjen një madhështor!
Allahu i Madhërishëm ka thënë:
شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ ۚ
“Këto ditë janë, ditët e muajit të ramazanit, në të cilin muaj ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja.”
Si dhe Allahu i Lartësuar ka thënë:
فَمَن شَهِدَ مِنكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْهُ
“Pra, kushdo që nga ju gjendet në këtë muaj – le të agjërojë.”
I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ve selem!) ka thënë: “Islami është ngritur në pesë shtylla…”[1]; e ndër to përmendi: “Agjërimi i muajit ramazan.” Si dhe njashtu Profeti (sal-lallahu alejhi ve selem!) ka thënë: “Kush e agjëron ramazanin, me besim dhe me shpresë në shpërblimin (e Allahut), do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”[2]; si dhe ka thënë: “Kush e gjallëron natën e kadrit me namaz të natës, me besim dhe me shpresë në shpërblimin (e Allahut), do t’i falen mëkatet e mëparshme.”[3]; si dhe ka thënë: “Kush e gjallëron ramazanin me namaz të natës, me besim dhe me shpresë në shpërblimin (e Allahut), do t’i falen mëkatet e mëparshme.”[4].
E thashë këtë që e dëgjuat, e i kërkoj falje Allahut për vete dhe për ju, kërkoni falje tek Ai sepse Ai është Falës e Mëshirues!
Hutbeja e dytë
Falënderimet e plota për Allahun që na ka begatuar me muajin ramazan dhe që e ka bërë muaj të agjërimit, të namazit të natës dhe të Kuranit! Dëshmoj se s’ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, i Cili nuk ka ortak, si dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Allahu e lavdëroftë atë, familjen dhe shokët e Tij!
O besimtarë!
Boshti i veprave tuaja në muajin ramazan është agjërimi i ditës, namazi i natës, leximi i Kuranit dhe shpeshtimi i lëmoshës, e në veçanti dhënia e ushqimit, e më në veçanti iftari për agjëruesit.
Këto katër vepra: agjërimi, namazi i natës, leximi i Kuranit dhe sadakaja, janë boshti i përkushtimit në muajin ramazan, ndaj shfrytëzojeni mundësinë dhe angazhohuni sa të keni mundësi në vepra të mira gjatë këtij muaji, që të fitoni sa më shumë sevape.
Vërtet, gjithçka e ka një treg të vetin, e tregu i ahiretit është ramazani. E, s’do mend, që kujt i jepet mundësia për të hyrë në një treg për të fituar, e pastaj del që aty pa e shfrytëzuar mundësinë, ai ka humbur keq, e humbja më e keqe që s’ka kompenzim, është humbja e mundësisë për të fituar faljen dhe mëshirën e Allahut.
Ndaj, përkushtohuni dhe ngulitne në mendje që të bëni sa më shumë vepra të mira, e keni kujdes nga përfaqësuesit e djallit nga lloji njerëzor, nga ata që i trullosin e i joshin njerëzit me epshe e me dyshime, e të cilat i shpërndajnë pikërisht në ramazan, Në të vërtetë, Allahu ka premtuar prangosjen e djajve nga lloji xhindor, në shenjë lehtësimi për ne, mirëpo vërtet mundimi është shtuar nga djajtë e llojit njerëzor, ndaj hapni sytë, ruhuni nga të këqijat përgjatë ramazanit, ngaqë e keqja që bëhet në një kohë me vlerë është më e madhe se e keqja në kohë të tjera.
Dijeni, kur Zoti iu jep ymër për ramazan, si dhe kur iu jep shëndet e forcë, Ai, në të vërtetë, po iu jep diçka që nëpërmjet saj të punoni për Të, e jo t’i shtoni mëkatet. E po, sa e keqe është ajo gjendje e robit, kur Zoti e begaton, e ai begatinë e Tij e kthen me keqbërje.
O Allah, na e bëj imanin të dashur dhe na e zbukuro atë në zemrat e tona, e na e bëj mosbesimin e mëkatimin të urryer, e na bëj neve prej robërve Tu të përudhur!
O Allah, na e mundëso ta arrijmë ramazanin; O Allah, na e mundëso ta arrijmë ramazanin; o Allah, na e mundëso ta arrijmë ramazanin!
O Allah, na bëj nga ata që e agjërojnë ramazanin, me besim dhe me shpresë në shpërblimin Tënd!
Shejh Salih Ibn ِAbdullah el-Usajmi
Përktheu nga arabishtja: Mirsim Maliçi
Shkup, 24.02.2025
[1] Shënon Buhariu (8) dhe Muslimi (20 - 16).
[2] Shënon Buhariu (38) dhe Muslimi (175 - 760).
[3] ٍShënon Buhariu (1901) dhe Muslimi (175 - 760).
[4] Shënon Buhariu (37) dhe Muslimi (173 - 759).