Hutbeja e parë
Të gjitha falënderimet janë për Allahun e Lartë, të Cilin e lusim të na jep mbarësi e të jetë i kënaqur me ne; dëshmoj për Të dëshminë e besimtarit monoteist, se s’ka të adhuruar të denjë përveç Tij, si dhe dëshmoj që Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij, që e ka dërguar për tek të gjithë njerëzit; Allahu e lavdëroftë atë, po dhe familjen, e shokët e tij, me lavdërime të bukura e bekime të pafundme, deri në Ditën e Gjykimit!
O ju njerëz, jini të devotshëm ashtu siç duhet, e kapuni mirëfilli për fenë tuaj duke u mbajtur për lidhjen më të fortë, e përmbajuni bashkësisë, se pa dyshim, Dora e Allahut është me bashkësinë.
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ
“O besimtarë! – druajuni Allahut ashtu si duhet t’i druani dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!” (Kurani, 3:102).
Dijeni, Allahu iu mëshiroftë, se Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar shumëçka në gjithësi për të zgjuar gafilët, e për t’ia tërhequr vërejtjen të përgjumurve, e për t’i mësuar të padijshmit, që kështu krijesat të kthehen tek Ai.
Allahu i Madhërishëm ka thënë:
إِنَّ فِي خَلْقِ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَاخْتِلَافِ اللَّيْلِ وَالنَّهَارِ لَآيَاتٍ لِّأُولِي الْأَلْبَابِ
“Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës (dukjen dhe zgjatjen e tyre), ka argumente për mendarët.” (Kurani, 3:190)
E në këtë domethënie - krijimi i qiejve dhe Tokës e ndrrimin e natës e të ditës, është edhe i ftohti i dimrit, që kur ashpërsohet e ndryshon moti, ai i zgjon robërit që e dinë qëllimin e fesë përkitazi me të.
I Dërguari (sal-lallahu alejhi ve selem!) ka thënë: “Xhehenemi është ankuar tek Zoti i vetë, e i ka thënë: ‘O Zoti im, një pjesë e imja po e ha pjesën tjetër’” - pra, shkaku i nxehtësisë së madhe e i flakëve të forta - “E Allahu bëri që Xhehenemi të ketë dy frymëmarrje, një frymëmarrje gjatë dimrit dhe një frymëmarrje gjatë verës. Kur juve u vjen ftohti i fortë, ai është prej Zemheririt (acarit) të Xhehenemit, kurse kur iu vjen nxehti i fortë, ai është prej Semumit (erës së nxehtë) të Xhehenemit.”[1]
Ftohti i dimrit i kujton besimtarit këtë që na e ka dëftuar i Dërguari (sal-lallahu alejhi ve selem!), që acari i ashpër vjen nga frymëmarrja e Xhehenemit përgjatë dimrit, që është bërë gati për ndëshkime të ashpra, e që si vend Allahu e ka përshkruar si vend të poshtërimit:
رَبَّنَا إِنَّكَ مَن تُدْخِلِ النَّارَ فَقَدْ أَخْزَيْتَهُ ۖ
“O Zoti ynë! Cilindo që Ti e hedhë në zjarr, Ti e ke poshtëruar atë.” (Kurani, 3:192).
Si dhe na ka treguar Allahu, që boshti i shpëtimit është largimi prej Xhehenemit:
فَمَن زُحْزِحَ عَنِ النَّارِ وَأُدْخِلَ الْجَنَّةَ فَقَدْ فَازَ
“...kushdo që largohet nga zjarri i xhehennemit (skëterrës) dhe hyn në xhennet, ai ka korrur fitore.” (Kurani, 3:185).
Në të vërtetë, kjo që i është dhënë leje Xhehenemit që të merr frymë, është me qëllim që të na e sjellë neve në mendje zjarrin e Xhehenemit, e të frikësohemi, sepse Allahu i Madh na ka urdhëruar që t’i druhemi e t’i ruhemi Xhehenemit:
فَاتَّقُوا النَّارَ الَّتِي وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ ۖ أُعِدَّتْ لِلْكَافِرِينَ
“...ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Ai është përgatitur t’i ndëshkojë mohuesit.” (Kurani, 2:24);
Si dhe ka thënë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ عَلَيْهَا مَلَائِكَةٌ غِلَاظٌ شِدَادٌ لَّا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ
“O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lëndë djegëse të të cilit janë njerëzit dhe gurët, dhe të cilin e mbikëqyrin engjëjt e fuqishëm dhe të ashpër, të cilët nuk u kundërshtojnë urdhërave të Allahut dhe të cilët punojnë për atë që urdhërohen.” (Kurani, 66:6).
Pra, tek sa na acarohet moti, duhet të na vijë në mendje Xhehenemi që jemi urdhëruar t’i ruhemi, e të cilin vend Allahu e ka përgatitur për ata që rebelohen dhe nuk i binden Atij, pra, acari i madh është prej të ftohtit të Xhehenemit, e Allahu na e dërgon këtë të ftohtë që ta na e kujtojë Xhehenemin e ne t’i druhemi. Me të vërtetë, jeta e përditshme e angazhimet në këtë jetë na përgjumin e na habisin kundrejt asaj jete, e Allahu na e kujton, ja, ky acar i ashpër që po e përjetoni, është prej frymëmarrjes së Xhehenemit, vendit të ndëshkimit.
E ashtu siç ruhemi prej të ftohtit në këtë dynja, duke u veshur e duke u mbathur si më mirë e sa më shumë, e duke e përmirësuar ushqimin e duke qëndruar sa më shumë në shtëpi, ashtu duhet të kujdesemi e të përkushtohemi për të ruajtur vetveten nga dënimi i madh e poshtërimi i dhimbshëm që do të jetë në Ditën e Gjykimit; se vërtetë, ftohti i dynjasë merr fund, porse acari i Xhehenemit nuk merr fund. Dhimbja që na vjen nga acari i dynjasë ndalet, kurse dhimbja e Xhehenemit për banorët e tij, nuk ka të ndalur. Se vetë dynjaja është e përkohshme, kurse vendi i shpërblimit - e që i tillë është Xhehenemi, është vend i përhershëm, ndaj, o besimtarë, ruajuni Xhehenemit, druajuni Xhehenemit, keni frikë Xhehenemin!
E thashë çfarë dëgjuat, e Allahut të Madhërishëm i kërkoj falje për vete dhe për ju, e kërkojini edhe ju falje, se Ai është Falës e Mëshirues!
Hutbeja e dytë:
Të gjitha falënderimet e lavdërimet janë për Allahun; dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, që s’ka ortak, si dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Allahu e lavdëroftë atë, familjen dhe shokët e tij!
O besimtarë! Kur Allahu na e dërgon gjatë dimrit një shenjë që na e kujton Xhehenemin, si dhe, tek na urdhron për t’u ruajtur prej Xhehenemit: “...ruajuni zjarrit…”; “...Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri…”; Ai, përpos kësaj, na i ka lehtësuar edhe rrugët fetare që na shërbejnë për t’u ruajtur prej Xhehenemit.
Në këtë domethënie është porosia e Profetit (sal-lallahu alejhi ve selem!), ku thotë: “Ruhuni prej Xhehenemit, qoftë edhe me një gjysmë hurmeje.”[2]; pra, nëse njeriu s’ka mundësi të jep një lëmoshë më shumë sesa një gjysmë hurme, saktësisht duke e çarë një hurmë e duke e dhënë njërën pjesë për hir të Allahut, ai do të duhej të përpiqej që t’i shpëtonte e t’i ruhej Xhehenemit, qoftë edhe me atë gjysmë hurme.
Si dhe na ka treguar Allahu i Madhërishëm, që prej lutjeve të besimtarëve është lutja:
رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الْآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ
“Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër! Dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!” (Kurani, 2:201).
I Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ve selem!), na ka treguar që kush i kërkon mbrojtje Allahut prej zjarrit, duke e përsëritur këtë lutje tre herë, Allahu do ta mbrojë prej tij[3], pra, duhet të thotë: “O Allah, më mbroj prej Xhehenemit, o Allah më mbroj prej Xhehenemit, o Allah, më mbroj prej Xhehenemit.”
Prandaj nuk duhet të jemi gafilë e të painteresuar për të gjetur rrugët me të cilat mbrohemi nga Xhehenemi, e sidomos në ato ditë kur Allahu na dërgon shenja për të na e sjellur në mendje Xhehenemin, siç është acari i madh i dimrit, e kështu, nëpërmjet këtyre rrugëve të gjejmë shpëtimin, qoftë një sadaka, lutje, dhikër apo gjithfarë tjetër që na është shpjeguar në fenë tonë.
Ruhuni prej Xhehenemit, o besimtarë, e përshkoni sa më shumë rrugë që ju largojnë prej Xhehenemit, e dijeni se Allahu ua kujton Xhehenemin që të druheni e t’i shmangeni atij.
O Allah, na mbroj prej Xhehenemit, o Allah, na mbroj prej Xhehenemit, o Allah, na mbroj prej Xhehenemit!
O Allah, na jep të mira në këtë jetë dhe të mira në jetën e amshimit, e na mbroj nga ndëshkimi i Xhehenemit.
O Allah, na e bëj imanin të dashur dhe na e zbukuro atë në zemrat e tona, e na e bëj mosbesimin e mëkatimin të urryer, e na bëj neve prej robërve Tu të përudhur.
O Allah, jepju shpirtrave tanë devotshmëri, e na i pastro ato, se Ti më së miri i pastron ato, Ti je Kujdestari e Zoti i shpirtrave tanë!
O Allah, të kërkoj udhëzim, devotshmëri, ndershmëri e pasuri!
O Allah, largojau brengat dhe shqetësimet njerëzve të sprovuar, e lajau borxhet borxhlive, e shëroji të sëmurit tanë, e të mbarë muslimanëve.
Shejh Salih Ibn ِAbdullah el-Usajmi
Përktheu nga arabishtja: Mirsim Maliçi
Shkup, 18.11.2024
[1] Shënon Ibn Maxhe (4319) prej hadithit të Ebu Hurejrës (radijallahu anhu!), kurse baza e hadithit gjendet tek Buhariu (3260) dhe Muslimi (617).
[2] Shënon Buhariu (1417, 6023, 6563, 7512) dhe Muslimi (1016), prej hadithit të Adij Ibn Hatimit (radijallahu anhu!).
[3] Shënon Tirmidhiu (2572) dhe Ibn Maxhe (4340), prej hadithit të Enes Ibn Malikut (radijallahu anhu!).