Anipse “ikjet” tingëllojnë shpesh si arratisje, zmbrapsje dhe dështim, ato çdo e ditë e më shumë, po na bëhen përditshmëri, dhe kjo, jo që tingëllimi i keq po s’na e vret veshin, por ngaqë mendimi kritik s’po na e vret mendjen.
Ikja prej të vërtetave dhe dëshira për t’u strukur aty ku presim të perëndojë e vërteta, që pastaj ne të lindim, të shfaqemi e të krekosemi, përbëjnë kryeveprën tonë ku rrëfehemi në një ditar të stëmbushur me vetëmashtrim.
Dhe sikur vetëmashtrimi, vetëlajkatimi dhe vetëprangosja është fati ynë që nuk na pikëllon, anipse kultura e pikëllimit që na rrethon, është aq e theksuar saqë loti ka mundësi që të çertifikojë më shumë sesa dija, arsyeja dhe argumenti.
Dhe një vetëmashtrim duhet të shkyhet në këtë ditar, doemos. Vetëmashtrimi kur gëzohemi për dikë dhe e mbititullojmë përtej vlerës së denjë. Po, kjo fletë e ditarit le të shkyhet, anipse dëmtohet fletorja e shkruar shpesh me emocion, më shumë sesa me arsye.
Ç’është ky vetëmashtrim?! Shpesh në jetë kemi pritur dikë dhe ai ka ardhur. Jo pak herë e kemi gatuar dikë dhe kemi pasur sukses në “gatim”. E ndoshta edhe nuk e kemi pritur, por kur ka ardhur jemi gëzuar derisa e kemi humbur arsyen. Dhe një humbje e arsyes që i na shkarravit shumë fleta të ditarit, është ajo kur një titullari të denjë për një a dy tituj ne i japim dhjetë tituj. Po pse?! Sepse na pëlqen strukja dhe moskërkimi i anës së saktë të lindjes së diellit.
Na vjen në rrethin dhe jetën tonë një mik i mirë, e që vërtet është i mirë, mirëpo diku po, e diku nuk është. Fjala bie, e ke mik muhabeti, ndeje e shëtitje, por jo edhe mik konsultimi, bashkëveprimi dhe bashkëudhëtimi. Mirëpo, megjithatë duam të vetëmashtrohemi, duke e konsideruar mik për gjithçka, e pastaj kur të përplasemi me realitetin që tregon se ishte shumë i mirë diku, por shumëkund jo, e hapim kapitullin tjetër të rrëfimit me zhgënjim.
Na vjen në hemisferën e davetit tonë një thirrës i mirë, ligjërues i vyeshëm dhe mësimdhënës i aftë, e që vërtet është i mirë, mirëpo diku po, e diku nuk është. Fjala bie, e ke burim dijeje e frymëzimi apo e ke shembulltyrë fetarie e devotshmërie, mirëpo kjo s’do të thotë që tek ai janë bërë bashkë krejt virtytet dhe vlerat që dëshiron t’i shohësh tek një njeri. Dikujt i mungon aftësia për prijësim dhe organizim, tjetrit aftësia për komunikim, e tjetri s’ka vizion, planifikim dhe lëvizje për të ardhmen; thjesht, është mjeshtër i mirë i sotit, por jo usta i brezave. Mirëpo “jo”, meqë na e ka mbushur mendjen me ligjërimin e tij, ne do t’i vetëmbushim mendjen vetës se ai është për të gjitha. A bëhet ai për të gjitha veç pse ne duam?! Kur përplasja me realitetin na shkakton kokëdhimbje, atëherë të kujtohet që është dashur ta vrasësh mendjen më herët për këtë realitet.
Na vjen në qarkun e punës një bashkëpunëtor i mirë, lider i zoti dhe sipërmarrës i guximshëm. Mirë se ka ardhur, mirëpo kjo nuk do të thotë që pranimi i tij me vlerat që i ka, është pranim absolut edhe për vlerat që s’i ka. Ndoshta vlerat e tij nuk e tejkalojnë agjendën e punës, por jeta nuk është krejt punë, ndërkaq inkuadrimi i tij në shoqëri, miqësi e ndoshta edhe afërsi shtëpie, mund të jetë vendim mëse i gabuar. “Po pse jo, meqë është i mirë?!” Po, është i mirë aty ku është i mirë, por jo ku s’është dëshmuar për i tillë.
Anipse këto rreshta duket sikur po flasim për një të vërtetë mëse të ditur e të thjeshtë, mirëpo ajo mungon sa s’bëhet në mendësinë tonë. Qoftë në shembullin e shoqërisë apo në shembullin e davetit dhe të punës. Ne konsultojmë njerëz të mirë në ligjërim, mirëpo që s’janë të mirë për planifikim; ne orientohemi me njerëz të mirë, por që s’janë të mirë për të parë matanë mjegullave; ne nxjerrim në krye të safave tonë njerëz të mirë, por që s’janë të mirë për t’i drejtuar safat; e madje, ne ia besojmë lëzivjen kolektive dikujt që ecën vetë.
Kjo cektësi nuk ka nevojë për shpjegim. Ajo më shumë ngjan për barcoleta, sesa për rrëfim të vërtetë të njerëzve me arsye të shëndoshë.
Mirsim Maliçi
Shkup, 27.08.2026
Lexo më shumë