• Notifications
Kthehu
Mësime dhe ndërtim
20 Qershor, 2026
3 min lexim

Bujaria e pashoqe

Hoxhë Mirsim Maliçi

“Shkalla më e lartë e bujarisë është bujaria e ilmit; të tregohesh bujar e zemërgjerë duke dhënë e shpërndarë dituri, është më e çmueshme sesa të dhurosh bujarisht pasuri, sepse dija është më e shtrenjtë sesa pasuria.” - Ibn Kajjimi[1]


Gjithçka e ka një çmim, madje edhe kur nuk e dimë se cili është ai çmim, sikurse shumçka mund edhe të shtrenjtohet pasi ta kemi humbur. Ndërmjet vlerësimit dhe humbjes, vëmendja për të njohur shkallët e një vlere është jetike. Po aq jetike sa vetë njohja e vlerës.

Të gjithë ne pajtohemi për vlerën e bujarisë, ndonëse nuk pajtohemi që përfytyrimet e tona mbi bujarinë dhe bujarët janë fusha jo aq të lavruara mirë. Nuk pretendoj diçka më shumë se ky konstatim, ndaj po e lëshoj në arë parmendën time primitive për të lavruar pak, e jo për ta bërë edhe më lavër.

Thelbi i vlerësimit të bujarisë nuk është sa të ka kushtuar ty ajo që e ke dhënë, por sa ka kushtuar ajo tek ai që e ke dhënë. Për ty diçka e dhënë mund të jetë një gotë ujë, e për dikë në shkretëtirë vetë jeta. Kjo që nuk masim kësisoj, na bën të mos e dimë se çfarë bujarie ka treguar ndaj teje dikush që të ka mësuar diçka prej fesë.

Pra, le të masim… Një dituri që të shpëton nga xhehenemi, të shton gradat e xhenetit e ta shmang dënimin e varrit, sa vlerë ka?! Një ders me të cilën e ripërtrin lidhjen me Allahun, shton ambiciet e ahiretit dhe fisnikëron shpirtin, çfarë vlere ka?! Një këshillë me të cilën reflekton për udhëtimin e gjatë, motivohesh për të hequr dorë nga mëkatet dhe merr zemër për devotshmëri, çfarë vlere ka?! Një domethënie me të cilën të lirohet qafa nga prangat e zjarrit, të forcohet një ibadet, e të rëndohet peshoja e sevapeve, çfarë vlere ka?! Një shpjegim me të cilën do të shpërblehesh tutje në jetë, që me dritën e tij do të mirëmbash perceptimet e tua e mbi të do të ndërtosh kala kuptimesh, çfarë vlere ka?! Një zbërthim që të heq mjegullat, ta qartëson vizionin dhe ta ripërtrin nijetin, çfarë vlere ka?! Një ligjërim që të çon tek kuptimet e Kuranit dhe Sunetit, e ta përafron trashëgiminë njëmileniumshe të dijetarëve, çfarë vlere ka?!

Kjo nuk është pyetje. Është thjesht një parathënie për të ardhur tek fjala e Abdullah Ibn Mubarekut se: “Nuk di pas profetësisë, diçka më të vlefshme sesa shpërndarja e ilmit.”[2]

Madje edhe bujarët më të mëdhenj te historisë islame, që nga prijësit e sulltanët, e deri tek të kamurit e vakëfeve, nëse nuk janë harruar bujaritë e tyre, e nuk janë tretur gjurmët, zakonisht janë ata që bujaria e tyre ka qenë (edhe) në ngjarjen e ngritjes, përkrahjes dhe shpërndarjes së diturisë fetare.

Nëse matjen do ta kishim të saktë, do ta kishim kuptuar më mirë hadithin, që për shpërndarësin e ilmit luten engjëjt e qiellit e të Tokës, e madje edhe milingona në vrimën e saj[3]. Për kë luten?! Për një bujar që nuk e ka mbyllur thesarin, siç do ta krahasonte Selman el-Farisiu[4], por e ka hapur dhe dhuron me zemërgjerësi.

Nëse nuk dimë se ç’është dituria, nuk dimë as ç’është bujaria me të. E njeriu është armik i asaj që s’e njeh, siç është thënë.


Mirsim Maliçi,

Shkup, 20.06.2026


[1] Ibn Kajjimi, Medārixhu’s-Sāliķīn, v. 2, f. 279.

[2] Edh-Dhehebi, Sijeru e’alāmi’n-nubelā, v. 8, f. 387.

[3] Tirmidhiu [2685].

[4] Darimiu [1/461].

Shpërndaje
Mësime dhe ndërtim

Ndryshimi?! Vetëm atëherë kur Islami të jetë qendra e qendrave tona!

Lexo më shumë
Mësime dhe ndërtim

Që ta shpëtosh dikë në rrethrrotullim

Lexo më shumë
Mësime dhe ndërtim

Gatuani mendjet që të mendojnë!

Lexo më shumë

Tags