• Notifications
Kthehu
Edukim dhe tezkije
25 Tetor, 2026
2 min lexim

Kur vajtimi për unitet i ngjan aktrimit të vajtores

Hoxhë Mirsim Maliçi

E keqja është e keqe, vetëm atëherë kur zihet apo del haptazi, por jo kur jeton shëndosh e rehat fshehurazi - do të thoshte mentaliteti i popullit të harrnimit, jo i ndërtimit. Por jo vetëm kjo, ky mentalitet edhe thotë, që distancimi dhe afrimi merren në konsideratë vetëm kur qartazi deklarohen, por jo edhe kur de facto ti je distancuar apo je afruar.

Ti, fjala bie, de facto, mund të jesh portretizimi më i qartë i individualizmit dhe egocentrizmit, por, dy rregullat e mediokritetit: mos u deklaro dhe mbaje fshehur. Që i bie?! Ti je flamurtari i komunitarizmit, punëve kolektive dhe i anijës së përbashkët. Le ta thjeshtëzojmë pakëz!

“Kërkon punë e lutet që të mos gjejë punë?!” Është nje ironi që tregon përplasjen mes presionit të jashtëm me realitetin e brendshëm, pra, duhet të punojë se s'bën pa punë, por shpirti i përgjumur nuk e do punën. Kështu është edhe një ironi tjetër. 

Flet për bashkim, bashkëpunim dhe komunitet, por lutet që të mos bëhet?! E habitshme, por kështu është kur përplaset presioni i jashtëm - që duhet të jetë deklarativisht konstruktiv: unitet, umet, e xhemat, mirëpo kur e kujton që çdo bashkësi ka ballinë, çdo komunitet ka kokë, e çdo ngjarje ka protagonizëm, atëherë: më mirë të mos bëhet xhemati, sesa ta shoh atë apo tjetrin (nga lloji im) në krye të tij. 

E mërzitshme, por sikur duket që lëvizjet e shkapërderdhura, davetet alias "t'u pa t'u ba", e xhematet pa hierarki, e grupet davetore pa identitet të qartë me qartësinë e burimit dhe brumosjes, në fakt, këtë e paskëshin synuar: të tingëllojnë që vuajnë për bashkësi, por duke uruar që kurrë ajo të mos bëhet.

Dhe kur uniteti dhe bashkimi bëhen klishe, e vuajtja për të veç një shtirje tjetër për Umetin, e një akuzë ndaj të vonshmit: “Pse nuk je për unitet?!” - edhe pse vetë këta të hershmit kurrë s’u unifikuan mes vete, atëherë kujtoje nga kujtesa e fëmijërisë, mos është kjo e ngjashme me rrëfimet për gjamën e burrave dhe për vajtueset me pagesë që dikur i qanin të vdekurit e panjofshëm?!


Mirsim Maliçi

Shkup, 25.10.2026

Shpërndaje
Edukim dhe tezkije

Fitimi i rrejshëm i syfaqësisë

Lexo më shumë
Edukim dhe tezkije

Ndryshimi në mesin e shkumës

Lexo më shumë
Edukim dhe tezkije

Syfaqësia është verbëri

Lexo më shumë

Tags