• Notifications
Kthehu
Mësime dhe ndërtim
12 Nëntor, 2026
3 min lexim

Kur daveti kalon nga kontributi në shtirje

Hoxhë Mirsim Maliçi

Të jesh pjesë e davetit është shteg mirësie, kurse ngatërrimi i rolit është shteg fatkeqësie. Ndërmjet ngjarjes fatlume dhe asaj që të trishton, është një mjegull ku nuk mund ta shohësh qartë çmimin se sa do ta paguash në ahiret.

Rolet e gabuara mund të jenë orientime të gabuara, e, gabimi në kahje nënkupton vetë ikjen, anipse lodhjen e ke po sikur të dikujt që e përshkon saktë hartën drejt cakut të duhur.

Ndaj, vëllai im, të lumtë që je motivuar për davet, e, aty ku je duke kontribuar: në shoqëri, në rrugë, në xhami, në mekteb, në bord, në media, në shoqatë e kudo, dije që, ordinanca davetore nuk është eksperiment pa përgjegjësi. Në të vërtetë, përgjegjshmëria tregon se sa je mbarësuar për këtë udhë.

Po, të lumtë që e ke mësuar dhënien e ndihmës së shpejtë, por ajo është vetëm ndihmë e shpejtë. Kur me “ndihmë të shpejtë” e luan mjekun, ti po tallesh me davetin.

Po, të lumtë për asistimin që i bën hoxhallarëve, por ordinanca davetore me infermierë, por pa mjekë ose me shumë mjekë, por pa mjek amë, është eksperiment i keq.

Po, të lumtë për vetëdijësimin e të tjerëve që të vijnë tek mjeku për mjekim, mirëpo as portari i gjykatës nuk e bën gjyqin, e as ciceroni i mbretërisë nuk sundon: udhëzimin mjekësor e bën mjeku, jo të tjerët.

Dhe nëse ambulantat pa mjekë do të ishin përralla koti, kjo përrallë çdo ditë e më shumë po i rrëfehet davetit: xhami gjithandej ku hallka e fundit është hoxha, e organizime të ndryshme davetore ku më shumë peshon dikush që kontribuon disi, sesa mentori që i ujit kuptimet e kumtesës, pa të cilat daveti s’është kurrsesi.

E, më e keqja, e të cilën pakkush e kupton: kur ata që gjatë kohë e luajnë rolin e “alternativave të mjekut”, do t’iu vijë koha që s’do të kenë alternativë tjetër veçse të jetojnë me rolin e veshur gabimisht, se tanimë iu ka ikur koha për të krijuar një rol të vërtetë, atëherë mjeku i vërtetë do të shihet si vetjak, kurse imitimet dhe shtirjet si zemërgjerësi.

“Por ne e kishim nijetin e mirë?!” - do të thoshte mendësia e mendjeve që shohin atypari. E po, sa keq është që të hysh në fushën e davetit pa e kuptuar që lëvizjet në të janë mbi territor të ndieshëm - xhenet a xhehenem.

Ndoshta pacienti s’e çmon zotësinë e mjekut, e ndoshta e shpërfill atë aq sa mendon që fare lehtë ia mer zanatin nga dora, por sërish e përherë mbetet e palëkundshme, që ambulanta pa mjekë është skenë për dramë të frikshme, jo hapësirë për rimëkëmbje.

E di që “mjekët” i zë gjumi, por më mirë një ambulantë me mjekë të përgjumur, sesa një tjetër me infermierë të zgjuar.


Mirsim Maliçi

Shkup, 12.11.2026

Shpërndaje
Mësime dhe ndërtim

Ndryshimi?! Vetëm atëherë kur Islami të jetë qendra e qendrave tona!

Lexo më shumë
Mësime dhe ndërtim

Që ta shpëtosh dikë në rrethrrotullim

Lexo më shumë
Mësime dhe ndërtim

Gatuani mendjet që të mendojnë!

Lexo më shumë

Tags