Humbja e kohës mund të jetë, ndoshta, treguesi i fundit, por jo, asesi, nuk mund të jetë treguesi i parë i realitetit të sorrollatjes së njeriut të pafrytshëm. Në të vërtetë, njeriu nuk e humb kohën, veçse pasi të ketë humbur ndjeshmërinë për të, e që kjo, fillon herët në vegjëli - kur është barrë e prindërve, dhe vazhdon tutje - në moshën e pjekurisë, kur ky soj bëhet barrë e shoqërisë, e jo një vlerë e saj.
Por, vallë, cili është filli i pandjeshmërisë, saktësisht cili është fajtori i humbjes së kohës?! Asnjë përgjigje si kjo e lexuar diku, nuk më ka dhënë qartësinë e kërkuar që moti; thjesht, njeriu e humb ndjeshmërinë për kohën, rrjedhimisht e humb kohën, kur ai s’ka synime, s’ka ambicie, s’ka detyra për të kryer e s’ka ëndrra për të realizuar. Njeriut pa ambicie nuk i ngutet asgjë, sepse para sysh nuk ka diçka që e synon.
Ndaj, në suren el-Asër, kur Allahu i Madhërishëm betohet në kohën, e pastaj na flet për humbjen, sikur na jep mundësinë të gjejmë vetvetën: nëse jemi njerëz të vlerave, i bie të jemi njerëz që e madhërojnë kohën. E të jesh i vlerave dhe i kësaj veçantie, duhet të kesh ambicie. Të jesh synimtar i paepur dhe të jesh punëtor i përkushtuar.
Por, vallë, në kërkim të çkahit?! Në kërkim të asaj që e gjejmë në ajetin e tretë të kësaj sure.
Fëshfërimë nga ligjërata “Vlerat konsensuale të shoqërisë së sures el-Asër”, ligjëruar në Kehl, Gjermani, më 26.01.2025.
Mirsim Maliçi
Shkup, 09.02.2025