Kthehu mbrapa
Shtigje të diturisë dhe besimit
Autor: Ibrahim Sekran
Përktheu: Mirsim Maliçi
I nderuari lexues, nga vrojtimet e mia bërë Kuranit, kam gjetur se nocionet dituria dhe besimi shpesh përmenden bashkërisht dhe afër njëra-tjetrës. Madje, Zoti i Lartësuar do ta merrte për dëshmi fjalën e një pale njerëzish, identiteti i të cilëve është bashkëdyzimi i dijes me besimin: “E, ata të cilëve u është dituria dhe besimi, thanë...” (Kurani, 30:56) Po ashtu, do të na tregonte për ngritjen e atyre që i gëzojnë këto dy vlera: “Allahu do t’i lartësojë besimtarët që janë prej jush, veçanërisht dijetarët do t’i ngritë në shkallë të lartë.” (Kurani, 58:11) Ndërkaq, diku tjetër, Zoti Fuqiplotë na dëfton sesi secila prej tyre, dija dhe besimi, shpijnë te njëra-tjetra: “E, ata që janë thelluar në dijeni thonë: “Ne i besojmë...” (Kurani, 3:7) Njashtu: “Por disa nga ata, të cilët janë udhëzuar plotësisht në dijeni dhe muslimanët, - ata besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed!)...” (Kurani, 4:162). E, kur është fjala për Profetin (sal-lallahu alejhi ue selem), ai vërtet qe i begatuar me të dyja: “Ti (më parë) nuk ke ditur se çka është Libri as çka është besimi (i plotë)...” (Kurani, 42:52 ) E, nga këtu, Ebu'l Abas ibn Tejmije do të arrinte në përfundimin: “E mira në tërësi, fund e krye, gjendet te dija dhe besimi!”
Pra, ky libër vjen si shtrydhje e disa meditimeve të mia përkitazi me disa shtigje të diturisë e disa të besimit, të cilat i kam shënuar në periudha të ndryshme, që, në radhitje, fillimisht i kam përmendur shtigjet e diturisë, ilustruar me shembullin kuranor dhe, më pas, në pjesën e dytë, kam folur rreth shtigjeve të besimit.