Pyetje: Një i afërmi im betohet shumë në Allahun, herë duke e thënë të vërtetën, e herë duke gënjyer. Si gjykohet kjo?!
Përgjigjja: Duhet të këshillohet, e t’i thuhet që betimi i shpeshtë nuk është në rregull, edhe nëse je duke e thënë të vërtetën, ngaqë Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ruani betimet e juaja!” (Kurani, 5:89); si dhe Profeti (sal-lallahu alejhi ve selem!) ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit, tre lloj të njerëzve Allahu nuk do t’u flasë, e as nuk do t’i shikojë, e do të kenë dënim të dhimbshëm: thinjaku i përdalë, varfanjaku fodull dhe një burrë që e ka vënë emrin e Zotit tek malli i tij, nuk blen e as nuk shet, veçse duke u betuar në Allahun.”[1] Le ta kemi parasysh, arabët (edhe në historinë paraislame; M. M.) i lavdronin ata që betoheshin pak, siç e gjejmë këtë në vargjet e tyre (...). Ndaj, besimtari duhet ta përvetësojë si veti të tij rrallësinë e betimit, edhe kur bëhet fjalë për ta thënë të vërtetën, ngaqë shpeshtimi i betimeve mund ta shpie atë në gënjeshtra, ndërkaq dihet mirëfilli që gënjeshtra është haram, e kur ajo bëhet me betim, është edhe më e rëndë.
Përpos situatave të domosdoshmërisë a të ndonjë dobie mëse të pashmangshme, atëherë nuk përbën problem betimi i rrejshëm, siç është vërtetuar në hadithin e Umu Kulthumit, bijës së Ukbe Ibn Muaj’tit (radijallahu anha!), se Profeti (sal-lallahu alejhi ve selem!) ka thënë: “Nuk është gënjeshtar ai që pajton njerëzit, e që (për këtë i bie të) thotë a të përcjellë një fjalë të mirë.”; pastaj transmetuesja tha: “Nuk e kam dëgjuar të jepte leje për të gënjyer, veçse për tre raste: për pajtimin mes njerëzve, në luftë dhe në bisedat e burrit me bashkëshorten dhe në të gruas me bashkëshortin.”; e ka shënuar Muslimi në “Ṡaḥīḥ”-un e tij’[2]. Pra, nëse gjersa pajton njerëzit, thotë: “Pasha Allahun, shokët e tu duan të pajtohen, e të bëheni njëzëri, e duan kështu e ashtu”, e pastaj shkon tek të tjerët e vepron njëjtë, përherë duke pasur për qëllim hajrin dhe pajtimin, kjo s’ka gjë, bazuar në hadithin e përmendur më lartë. Ashtu njëjtë, nëse e sheh dikë që po e kanos me jetë dikë apo po e shtyp, e ti i thua: “Pasha Allahun, ky është vëllai im!”, në mënyrë që ta shpëtosh, duke e ditur që nëse thua kësisoj do ta lë atë shkaku i respektit për ty, atëherë madje e ke obligim, vetëm e vetëm që ta shpëtosh nga padrejtësia.
Pra, parimisht betimet e rrejshme janë të ndaluara, përpos nëse bëhet fjalë për një dobi të madhe siç janë rastet përjashtuese që u përmendën në hadith.
Shejh Abdulaziz Ibn Baz[3]
Përktheu: Mirsim Maliçi
Shkup, 02.03.2025
[1] Shënon Taberaniu në “El-Mu’ëxhemu’l-kebīr” (6111).
[2] Shënon Buhariu (2692) dhe Muslimi (2605 - 101).
[3]“Mexhmū’u’l-fetāvā”, 1/54.