Ruajtja e terminologjisë islame garanton ruajtjen e origjinalitetit dhe autoktonisë së përmbajtjes islame, kurse relativizimi i saj mund të na bëjë autorë, por jo kumtues. Ja, fjala bie, koncepti i kavamës (kujdestaria e burrit për bashkëshorten dhe familjen), është vlerë autoktone e Islamit dhe, pa dyshim, veç me origjinalitetin e saj jep frytshmërinë e pritshme. Mirëpo ç’ndodh?! Muslimanët e pushtuar nga kultura dominuese, nuk e dinë me çfarë monedhe duan të hyjnë në tregun e jetës dhe në fund dalin pa frytshmërinë e konceptit të kavamës. Kavama është barrë e burrit, kurse kultura dominuese i ngarkon të dytë. Kavama është syçelësi për përgjegjësitë e patjetërsueshme, kurse kultura dominuese të trishton që ta shtyesh pafund martesën. Kavama është ekuilibrim i privilegjeve me përgjegjësi, kurse kultura dominuese është mjegull që nuk garanton as familje në martesë, e as ndershmëri në beqari. Rrini autoktonë dhe gëzoni frytet në plotësi! - 17.04.2025