Mund të jesh shërbyes i madh i fesë, mirëpo nuk je i madh pa e kaluar provimin e davetit dhe të aktivizmit në bashkësi me aktorë si ti a me më të mëdhenj se ti; sepse, fillimisht, ara e Islamit është më e madhe sesa ti vetë ta prashitësh e ta lëvrosh atë fund e krye, dhe, së dyti, nëse s’ke mundësi ta mbulosh vetë këtë madhësi e gjerësi, pse nuk kërkon të tjerë që të punojnë përkrah a krahas teje, në mënyrë që të mos ngele ajo fushë e shkretë dhe e djerrë?! Nëse e refuzon këtë të vërtetë, atëherë në të dyja rastet i bie që ke mendim të keq për Islamin: e para, i bika të jetë arë e vogël dhe ti e mbuluake vetë, e në të vërtetë, “ara e madhe, kur je vetë t’ha”, si dhe, e dyta, përherë sipas hamendjes tënde, i bika të jetë një arë jo aq me prioritet dhe pashmangshmëri, ndaj kur nuk ia dal vetë me krye, e lë batall dhe të papunuar, por jo që bëj çmos për të gjetur zgjidhje. “Bjer shi në arën time” (ndoshta) mund të urosh tek ara e bukës tënde, por në arën e Islamit çdo pëllëmbë që e lëron dikush, është një lajm i mirë i ngjarjes së përbashkët të davetit. Pra, le të japim provimin, në stinën e mbjelljes, por edhe në të korrjes: gjithnjë umet i xhematit dhe i safave, e jo i vetjakut dhe i individualizmit. - 03.07.2025