Ekuilibri është veti e njerëzve largpamës, e që për pasojë, ata me paramendim mund të jenë edhe “të ngadalshëm” për të mos e prishur harmoninë. Pra, nuk duan të afrohen shpejtë me dikë, e as t’i japin mundësinë për t’u afruar shpejtë. Më mirë një buzëqeshje e ftohtë jetëgjate, sesa të qeshura gazmore që pasojnë me demonizim, e që kurorëzohen sërish me të qeshura të hareshme me glorifikim. As glorifikim, e as demonizim, po as dyndje nga idealizmi në zhvlerësim, por thjesht një ekuilibër me arsye, respekt dhe vlera. Qasja bardhë e zi është oshtimë, ekuilibri është qetësi. Ndonjëherë rrimë larg për të parë më mirë, e afrohemi rrallë për t’u mos u larguar përjetë, e verbohemi për ta parë një ditë më të mirë të së ardhmes. - Shkup, 17.02.2026