Epërsia mund të jetë aksident, thjesht je gjendur diku ku të tjerët nuk kanë përparuar, sikundërqë epërsia mund të jetë edhe mirazh, thjesht je shfaqur në një shkretëtirë ku përshtypja e rreme bën që njerëzve t’iu dukesh ndryshe nga ç’je. Në të vërtetë, epërsia e denjë është ajo që lëviz me madhështinë e vetë, por edhe i lëviz të tjerët, madje edhe kur ata janë të vegjël, të dobët a të papërparuar; është ajo që çel udhë për vete, por edhe për të tjerët, madje edhe kur ata s’ia kanë idenë udheve; është ajo që sfidohet, ripërtrihet e mëkëmbet, por edhe që nxjerr prej të dobëtit të fortin, prej të këputurit të paepurin dhe prej të përgjumurit vizionarin. Lideri nuk është ustai i njerëzve të arrirë, të zoti e veteranë, por ustai i çirakut, i mjeshtrit fillestar, i mjeshtrit të dobët, i mjeshtrit të zoti, e i mjeshtrit më të fortë se vetë ustai, por edhe i mjeshtrit të së ardhmes që do ta udhëheq. Lideri nuk është koka që i tregohet detyra nga njerëz të etur për dikë me epërsi; është ai që vetë i di detyrat edhe nëse (s’)rrethohet me epërsi, i shpik detyrat edhe nëse askujt s’i shkojnë në mend, e që i aspiron renditjet e safave, edhe kur ato s’janë fare hiç. - Shkup, 07.11.2025