• Notifications
Kthehu
Ese dhe vargje
20 Gusht, 2026
4 min lexim

Ti po zhbëhesh… nga (mos)vëmendja!

Hoxhë Mirsim Maliçi

Të mirat që i ka epoka në të cilën po jetojmë, ndonëse na janë bërë të thjeshta e sikur përherë njerëzimi i ka pasur, për shumicën e brezave të së kaluarës përbënin një ëndërr jo të tokës, por aso qiellore. Jeta e njeriut asnjëherë s’ka qenë më e lehtë dhe, çdo prurje e re, në mesin e mijëra zbulimeve të deridjeshme, që të gjitha janë duke e bërë jetën edhe më të lehtë, e më të mirë. Anipse kështu është e vërteta, megjithatë realiteti i prekshëm sikur na çon në një paradoks.

Ti po vuan, po plogështohesh, po vetëhumbesh, e po zhbëhesh, nga (mos)vëmendja. Po, ky është strumbullari ku na është zgjidhur litari i lumturisë, që do të duhej të ishte i lidhur me shumë nyje.

Mosvëmendja, të zhbën! Kur nuk i vë re mirësitë që i gëzon, nuk je mirënjohës për to, e as që i numëron tek sa me to jeta jote po mrekullohet; mirësi në fetarinë dhe vetëdijën tënde, në devotshmërinë që ta do zemra, në ndershmërinë që ta lyp shpirti, e në parakushtet dhe rrethanat e mira për rrugëtimin e saktë drejt Allahut. Po edhe mirësi në shëndetin tënd, në familjen tënde, në punë, në mësimnxënie, mirëqenie e shoqëri, mirësi të panumërta, por pak të vëna re nga ti. Kjo të zhbën!

Po edhe vëmendja, edhe ajo të zhbën! Vëmendja tek mirësitë e të tjerëve, sikur ajo që ata e kanë është diçka që ty të mungon, ndërkaq ajo që ti e ke, për ta mund të përbëjë një synim utopik. Një vetëhumbje për të cilën s’ke kujt t’i rrëfehesh se si u rigjete, nëse do të shpëtoje një ditë. Vëmendja tek përditshmëria e të tjerëve, tek spektaklet e tyre e tek aktrimi i dobët i një vargu episodash të një regjie meskine, e tek errësira që xhirohet nën ndriçim të sforcuar, është vëmendje që të zhbën. Jo thjesht të bën dëm, ajo të zhbën. 

Po, edhe mosvëmendja është largim i keq. Kur nuk i kushton vëmendje vetvetës, prehjes, prioriteteve, obligimeve, kërkesave e ëndrrave tua, prirjeve tua, po edhe të metave tua; ti je më meritori për vëmendjen tënde, por ja që ti po e injoron. Kjo po të zhbën. Ti duhesh ta nxjerrësh vetvetën në përparësi kundrejt të gjitha krijesave, për ta shpëtuar, për t’ia paguar çmimin e lumturisë dhe për t’ia përmbushur kontratën qiellore të amshimit. Ti edhe profesionin nuk po e përzgjedh duke matur me vetvetën, as rrethin, as gjeografinë, e madje as martesën; të gjitha po i mat se “ç’do të thotë kjo e ajo” kur të dëgjojnë e të flasin me admirim për mua. Ti mendon se është për ty tek e pret “admirimin për mua”, mirëpo vetvetja jote këtu nuk përfiton gjë. Po, në fakt, përfiton, përfiton imagjinata e stërzgjatur, kurse realiteti ngelet po ai, i varfër: vetmi, zgjedhje e gabuar, përcaktim jopremtues dhe prestigj i etur për sy të njerëzve.

Po, vëmendja po të zhbën. Vëmendja që ta provosh lumturinë tënde përpara syve të njerëzve, ta çertifikosh kodin tënd të përmbushjes tek përfoljet e tyre dhe t’i kurorëzosh arritjet e tua me duartrokitjet e tyre. Ndonëse duket çmenduri, mirëpo ti po synon të ngjitesh në majet e kodrave, mirëpo me ecje mbrapsht, duke qenë i përkulur përpara publikut që duan shfaqje dhe shfaqje, edhe nëse ajo është një dramë e rënies tënde. Ç’të duhen këto shikime, admirime dhe brohoritje, nëse ato janë grumbull çastesh, kurse jeta jote është grumbull vitesh?!

Po, ti ke mundësi të jetosh shumë mirë, gjithçka rreth teje është mëse premtuese për të jetuar shumë mirë dhe po jeton në epokën me kushtet më të mira… Mirëpo ti po zhbëhesh… nga (mos)vëmendja!


Mirsim Maliçi

20.08.2026

Shpërndaje
Ese dhe vargje

Veç një shenjë!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Paraprakisht!

Lexo më shumë
Ese dhe vargje

Mirë se vjen o mallëngjim!

Lexo më shumë

Tags