Sa e sa herë ne flasim, duke tingëlluar sikur zgjidhjet nuk ekzistojnë, e kjo, ngaqë jemi ne po të njëjtit që, jo rrallë herë, flasim duke tingëlluar sikur rrjedhat dhe epilogjet nuk kanë një shpjegim. Gjithçka ka një arsye, sikurse edhe gjithçka ka një zgjidhje, madje ka edhe kur ajo është vetëdorëheqja prej kërkimit të zgjidhjes.
Janë dy zhurma që nuk kërkojnë qetësi, por megjithatë duhet t’i dëgjosh tek sa je i qetë. I përkasin davetit të rizgjimit islam, ndonëse përgjigje mund të jep edhe dikush që rizgjimin islam e konsideron një eksperiment që meriton respekt, por jo një model që nuk duhet të zevendësohet me vetëdije islame. Unë i takoj të dyjave, por me njërën tentoj ta eklipsoj tjetrën.
Cilat janë këto dy zëra?! Le të heqim dorë nga termi zhurmë.
Zëri i parë është zë mjerimi. Është zëri i atyre që janë udhëzuar e indoktrinuar në duar të një grushti personalitetesh, që pastaj me atë udhëzim e doktrinë i kanë marrë orientimet në jetë. Ku është mjerimi këtu?! Mjerimi qëndron kur “adresa e udhëzimit” e ka mbyllur linjën e suportit, garancionit dhe mirëmbajtjes. Po, përudhja është prej Allahut, por kur udhëzimi yt ka ndodhur në duar të dikujt, që pastaj kur i lajmërohesh të del “që numri nuk ekziston” nuk është që s’ka dëm, në përjashtim të rasteve të mbuluara me lutf prej Allahut. Pra, ngjashëm sikur klienti që ka blerë një pajisje të veçantë e të shtrenjtë, që sado të jetë e qëndrueshme, ajo dhe garancioni i saj janë të lidhura me praninë e përfaqësuesit, qoftë për suport, mirëmbajtje, ndrrim veglash e për “servisim”. Ky është mjerimi që sot bën zhurmë në mesin tonë, por që nuk është i sinqertë. Iu kthyem prapë termit zhurmë. Trumbetohet shumë për të kaluarën e davetit, përcaktimet e ndryshme fetare, gabimet dhe teprimet, po edhe për tretjen dhe shpërbërjen, po sikur nuk përmendet një kryefjalë: po, kemi krizë, se adresa ku e kemi marrë produktin, nuk ofron më shërbim për klientin, nuk ekziston, është larguar nga vendi. Dhe kjo për shumë arsye, që nuk dua të merrem me to.
Dhe zëri i dytë, është zë nostalgjie. Është zëri i atyre që janë udhëzuar dhe indoktrinuar në duar të një grushti personalitetesh, që pastaj me atë udhëzim e doktrinë i kanë marrë orientimet në jetë. Ku është nostalgjia këtu? Nostalgjia qëndron kur “adresa e udhëzimit”, jo vetëm që ekziston, madje as nuk e ka mbyllur pikën e shitjes, e as nuk është larguar nga tregu, mirëpo veçse e kanë ndrruar veprimtarinë, zhanrin, rrymën apo variacionin e punës. Pra, ngjashëm sikur klienti që është përshtatur me një meny në një lokacion të caktuar, e kur vjen aty pas një kohe të gjatë, ai këmbëngul tek menyja e vjetër, anipse këta e kanë ndrruar krejt konceptin. “Unë këtë porosi gjithherë e kam bërë këtu!” i thotë me insistim atij që të ofron menynë e sotit. Këta nuk i kuptoj, që ditë e natë e shohin që ai diçka tjetër shet sot, e ky me nostalgji tregon çfarë ka shitur ai dikur!
Dhe kështu është mjerimi dhe nostalgjia e shumë të udhëzuarve, që tek sa duan mirëmbajtje e suport, adresa iu del e mbyllur, e kur duan të kthehen aty kanë qenë, iu duhet të njoftohen sërish me ata që ua kishin treguar udhën.
Mirsim Maliçi
Shkup, 01.06.2026
Lexo më shumë